Transmetuar më 21-11-2018, 13:49

Drejtoria e përgjithshme e Burgjeve, reagon lidhur me denoncimin e bërë nga ish-Kryeministri Sali Berisha, se Kostandin Xhuvani, djali i ish-deputetes socialiste Luiza Xhuvani i dënuar për vrasjen e katër personave, ka dalë nga burgu pas një operimi.

Në një deklaratë zyrtare sqarohet se Kostandin Gjergj Xhuvani i datëlindjes 24.06.1989, lindur dhe banues në Tiranë, është dënuar më 35 vjet burgim me vendimin Nr.670 datë 10.03.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Nga dënimi i dhënë i mbeten për të vuajtur edhe 30 vjet 7 muaj 29 ditë burgim, për kryerjen e veprave penale “Vrasje në Rrethana Cilësuese” dhe “Armëmbajtje pa Leje” parashikuar nga nenet 79/dh dhe 278/5 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë,dënim të cilin është duke e vuajtur në seksionin e sigurisë së lartë në IEVPenale Fushë Krujë.

Më tej thuhet se, si çdo i dënuar tjetër, edhe të dënuarit Konstandin Xhuvani i garantohen të drejtat e përcaktuara në Ligjin Nr. 8328, datë 14.06.2018, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

“Thënë kjo, ju bëjmë me dije se në datën 30 tetor Kostandin Xhuvaniështë hospitalizuar ne IVSHB (Spitali i Burgut) për disa probleme shëndetësorë, me diagnozë Nodushemoroidal, me kartelë klinike 407. Në momentin e pranimit në Spital, pacienti paraqitej i zbehtë, ankonte për këputje trupore dhe dhimbje rektale. Menjëherë janë realizuar ekzaminimet dhe konsulta mjekësoreme mjekun specialist proktolog të “ QSUT Nënë Tereza”, ku ka rezultuar me: Anemi(Hb 8mg/dl). Prolapshemoroidal”, thuhet në deklaratë.

Më tej shtohet se në këto kushte, mjeku specialist ka kërkuar ekzaminimin mjekësor sigmoidoskopi dhe se më 4 nëntor, është realizuar ky ekzaminim dhe konsulta me mjekun specialist, ku është rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale.

Bëhet me dije se më 5 nëntor është realizuar ndërhyrja kirurgjikale në QSUT “Nënë Tereza”, i shoqëruar dhe nën mbikëqyrjen e Forcave Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Po në këtë datë, pas përfundimit të operacionit, deklarohet pacienti Konstandin Xhuvani është rikthyer në spitalin e Burgut për trajtim të mëtejshëm sipas rekomandimeve të mjekëve specialistë të QSUT “Nënë Tereza”.

Nënvizohet se në ditët në vijim është konsultuar me mjekët specialistë, mjekun hematolog për problemin e anemisë, dhe është trajtuar në IVSHB (Spitali i Burgut) sipas rekomandimeve të tyre.

Sqarohet se aktualisht, ky i dënuar është i hospitalizuar në spitalin e Burgut, dhe me përmirësimin e gjendjes shëndetësore thuhet se do të bëhet dalje drejt burgut të Fushë Krujës.

Kujtojmë se Kostandin Xhuvani është dënuar 35 vite burg. Ai është shpallur fajtor për ngjarjen e ndodhur më 4 nëntor të vitit 2014, ku Kostandin Xhuvani, i biri i regjisorit Gjergji Xhuvani dhe aktores dhe njëkohësisht ish-deputetes Luiza Xhuvani, vrau me armë shokun e tij Arbër Demiraj, si dhe Edison Jahon, Enea Xhajin dhe shtetasin italian Giampaolo Azzolo.

Vrasja tronditi opinionin publik, çka do të sillte edhe dorëheqjen nga posti i deputetes së Luiza Xhuvanit. /a.y/noa.al

Vrau 4 persona, “Lirohet nga burgu Kostandin Xhuvani”