Transmetuar më 21-11-2018, 12:56

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj bëri me dije rezultatet javore të Task Forcës Antikorrupsion.

Në një dalje për mediat këtë të mërkurë ajo tha se bazuar në një denoncim të ardhur pranë Platformës së Bashkëqeverisjes, me objekt denoncimin e legalizimit një shtesë anësore të një pallati shumëkatësh pranë stadiumit “Flamurtari” Vlorë, grupi i kontrollit të Task Forcës Antikorrupsion ka kryer gjatë javës së kaluar inspektim administrativ në Drejtorinë Rajonale të Aluizni-t, Vlorë dhe Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë.

Në përfundim të këtij hetimi janë rekomanduar tre masa disiplinore “Largim nga puna” për: Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t, Vlorë Ardian Musta, për përgjegjësin e Sektorit të Legalizimeve, Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t, Vlorë dhe për specialistin e Sektorit të Legalizimeve, Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t, Vlorë.

Janë rekomanduar këto masa pasi është konstatuar se nuk kanë respektuar procedurat dhe kërkesat e parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi lidhur me mbledhjen dhe administrimin e dokumentacionit tekniko-ligjor të nevojshëm, në marrjen e vendimit të kualifikimit dhe emetimin e lejes së legalizimit sipas kuadrit ligjor për një objekt shtesë pa leje në objekt egzistues.

Ministrja detajoi se më saktësisht nuk janë marrë parasysh përcaktimet e Ligjit “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, duke legalizuar shtesë në një objekt ekzistues, duke cenuar vëllimin ose pamjen e jashtme të murit mesjetar të Kalasë së Skelës.

Në të njëjtën kohë nga strukturat kundër korrupsionit në Policinë e Shtetit, gjatë javës së kaluar janë evidentuar 13 vepra penale në fushën e korrupsionit dhe janë proceduar penalisht 33 autorë, prej tyre janë arrestuar dhe ndaluar: 10 autor, ndërsa 23 të tjerë po gjykohen ne gjendje të lirë.

Për të gjitha rastet e evidentuara, nga strukturat për hetimin e korrupsionit dhe Drejtoria Qendrore e Hetimit, janë kryer veprimet hetimore dhe janë referuar në Prokurori, veprat penale të “Korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, etj. /a.y/noa.al