Transmetuar më 21-11-2018, 12:46

Kreu i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili doli në një deklaratë për mediat lidhur me protestën e banorëve të Unazës së Re, ndërtesat e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Madhe.

Gjithçka pasi Kryeministri Edi Rama, i quajti banorët protestues si zaptues profesionistë.

Vasili tha se Kryeministri i Shqipërisë duhet të turpërohet.

“Sot përpara se të thotë çdo lloj deklarate tjetër së bashku me lejfenët e tij të bashkëqeverisjes, t’u kërkojë falje 1000 herë këtyre qytetarëve, të cilët i mashtroi për t’i marrë votën. Dhe ky mashtrim është në sytë e të gjithëve. Pasi u deklaroi që i kishin ndërtuar banesat e tyre me gjak dhe sot në sytë ë këtij të pacipi gjaku u bë ujë, dhe praktikisht këta s’kanë asnjë të drejtë, por duhet të dalin në rrugë të madhe”, u shpreh Vasili.

Ai tha se janë 40 milionë euro do të shpenzohen për 2.2 km rrugë.

Në vijim tha se kjo rrugë është tenderuar në 3 copa, nga 700 apo 800 metra copa dhe konkurruesit kanë qenë firma të paracaktuar dhe 3 herë ka konkurruar një firmë që ka bërë një ofertë 0 lekë.

“S’besoj se ka qytetarë, votues i opozitës apo votues i Partisë Socialiste që të mos shqetësohet, preokupohet e mos t`i vijë ankthi i jashtëzakonshëm që po vidhet në këtë mënyrë, pasi ka konkurruar tre kompani për 3 tenderë të ndryshëm dhe ai bashkë konkurruesi tjetër ka qenë me 0 lekë. Vëllezërit Hysa konkurrojnë 3 herë me 0 lekë. Kjo është gara. Është e qartë për të gjithë. 19 milionë euro, konkurron një kundërshtarë me 0 lekë, i jepet dhuratë këtij dhe 30 e ca milionë euro vidhen”, denoncoi Vasili.

Ai tha se kësaj mega vjedhjeje do t`i shkohet deri në fund dhe se fajtorët duhet të shkojnë para drejtësisë.

Sipas tij, qytetarët që e kanë votuar këtë mazhorancë, nuk e kanë votuar që të vjedhë, që nga një rrugë që nuk bën më shumë se 2 milionë, ta paguajë 19 milionë me gjakun dhe djersën e tyre dhe “me një sëpatë që u rri mbi kokë për dhjetëra vjet”.

Më herët Kryeministri Edi Rama është treguar i prerë me banorët e Unazës së Re, objektet e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Madhe.

Gjatë takimit të përjavshëm për bashkëqeverisjes, kreu i qeverisë tha sot se ata banorë kanë ndërtuar pa leje dhe tani kërcënojnë se duan dëmshpërblim 100% nga taksat e qytetarëve.

Rama tha se ata janë shprehja më spektakolare e një degradimi total të të menduarit shoqëror dhe politik.

Në këtë drejtim shtoi se të kesh aplikuar për legalizim nuk do të thotë të legalizohesh medomes, nëse ngrehina bie në shtratin e rrugës, zonë arkeologjike, tubacionet e ujësjellësit apo kanalizimet, aty ku kalojnë zonat e energjisë elektrike etj.

Rama tha se janë të përcaktuara në ligj të gjitha rastet ku një objekt nuk mund të kthehet në një pronë të ligjshme, aty ku cenohet prona e përbashkët e komunitetit.

“Mbi ç’ligj dhe moral kërkojnë 100% dëmshpërblim bizneset shumëkatëshe?! Dëmshpërblim nga buxheti i shtetit, me të cilin rriten pagat dhe pensionet, për të dëmshpërblyer zaptuesit profesionistë që kanë ndërtuar nga 3-4 vila e biznese. Kjo është e papranueshme, ata njerëz të largohen nga rruga që kanë bllokuar dhe ti hapin rrugë zhvillimit. Të mos turpërojnë veten dhe familjen dhe të mos bëhen gazi i botës dhe mish për top i atyre të tjerëve, që si ka mbetur asgjë vetëm se tundin flamurin e opozitës, ku kërkojnë dëmshpërblim për paligjshmëri”, u shpreh Rama.

Banorët që preken nga projekti i Unazës së Madhe prej më se 15 ditësh dalin përditë në protestë në protestë, duke kërkuar që të gjendet zgjidhje për ta, duke thënë se nuk do largohen nga banesat, pa u bërë kompensimi sipas vlerës së tregut.

Objektet që prishen nga projekti janë ato të ngritura nga zona e “Pallatit me shigjeta” e deri te sheshi “Shqiponja”, në të dy anët e rrugës.

Nga vlerësimi i bërë në terren janë 317 objekte që preken, të cilat janë 163 janë në proces legalizimi. Ndërkohë kryebashkiaku Erion Veliaj tha se banorët që i kanë shtëpitë pa dokumente do marrin 3 vjet qira, ndërsa kush i ka godinat me letra do i marrë lekët e dëmshpërblimit kokërr më kokërr. /a.y/noa.al

Rama i prerë me banorët e Unazës së Re: Zaptues profesionistë! S’ka legalizim

Unaza e Madhe, Qendro: Sheshi “Shqiponja” s’do jetë rrethrrotullim. Flet për dëmshpërblimet e banorëve

“Unaza e Madhe”, Vasili flet me shifra: Grabitje skandaloze, ditën për diell