Transmetuar më 21-11-2018, 12:31
Afrim Qendro

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro, në një dalje për mediat ditën e sotme, sqaroi projektin për Unazën e Madhe, nga i cili preken një numër i madh objektesh në zonën e Unazës së Re.

Ai bëri me dije se rruga duke nisur nga Dogana dhe deri tek shkolla Teknologjike do të jetë me tre korsi dhe se sheshi ‘Shqiponja’ nuk do të jetë më rrethrrotullim, por një gjysmë unazë.

“Do ketë tre korsi, në ikje dhe në ardhje duke nisur nga muaji janar. Kantieri do të zhvillohet nga pjesa e ‘Astirit’, ku kemi pak ndërsa që preken. Do funksionojnë të gjithë semaforët. Tek sheshi ‘Shqiponja’ s’do e kemi më rrethrrotullim, por do kemi një gjysmë unazë. Kur vjen nga unaza nuk mund të rrotullohesh në vend, por do shkosh deri tek Casa Italia”, u shpreh Qendro.

Por ai sqaroi se rrethrrotullimi, do të jetë tek Kthesa e Kamzës.

Kreu i ARRSH sqaroi se trafiku për përdoruesit e rrugës, nuk do të bllokohet në asnjë moment, duke bërë me dije se për çdo vështirësi policia i ka marrë të gjitha masat.

Lidhur me banesat që prishen nga projekti, ai tha se do të ngrihen grupe pune për vlerësimin e banesave sipas ligjit.

“Së shpejti do të ketë një VKM për vlerat e dëmshpërblimit. Do të përcaktohet një dëmshpërblim edhe për ato banesa që preken pjesërisht nga zgjerimi o rrugës. Ata që kanë banesa pa leje do të trajtohen me bonuse qeraje ose kredi të buta. Të gjitha pemët dhe ndriçimi që po hiqet do të vendoset diku tjetër”, deklaroi Qendro.

Më herët Kryeministri Edi Rama është treguar i prerë me banorët e Unazës së Re, objektet e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Madhe.

Gjatë takimit të përjavshëm për bashkëqeverisjes, kreu i qeverisë tha sot se ata banorë kanë ndërtuar pa leje dhe tani kërcënojnë se duan dëmshpërblim 100% nga taksat e qytetarëve.

Rama tha se ata janë shprehja më spektakolare e një degradimi total të të menduarit shoqëror dhe politik.

Në këtë drejtim shtoi se të kesh aplikuar për legalizim nuk do të thotë të legalizohesh medomes, nëse ngrehina bie në shtratin e rrugës, zonë arkeologjike, tubacionet e ujësjellësit apo kanalizimet, aty ku kalojnë zonat e energjisë elektrike etj.

Rama tha se janë të përcaktuara në ligj të gjitha rastet ku një objekt nuk mund të kthehet në një pronë të ligjshme, aty ku cenohet prona e përbashkët e komunitetit.

“Mbi ç’ligj dhe moral kërkojnë 100% dëmshpërblim bizneset shumëkatëshe?! Dëmshpërblim nga buxheti i shtetit, me të cilin rriten pagat dhe pensionet, për të dëmshpërblyer zaptuesit profesionistë që kanë ndërtuar nga 3-4 vila e biznese. Kjo është e papranueshme, ata njerëz të largohen nga rruga që kanë bllokuar dhe ti hapin rrugë zhvillimit. Të mos turpërojnë veten dhe familjen dhe të mos bëhen gazi i botës dhe mish për top i atyre të tjerëve, që si ka mbetur asgjë vetëm se tundin flamurin e opozitës, ku kërkojnë dëmshpërblim për paligjshmëri”, u shpreh Rama.

Banorët që preken nga projekti i Unazës së Madhe prej më se 15 ditësh dalin përditë në protestë në protestë, duke kërkuar që të gjendet zgjidhje për ta, duke thënë se nuk do largohen nga banesat, pa u bërë kompensimi sipas vlerës së tregut.

Objektet që prishen nga projekti janë ato të ngritura nga zona e “Pallatit me shigjeta” e deri te sheshi “Shqiponja”, në të dy anët e rrugës.

Nga vlerësimi i bërë në terren janë 317 objekte që preken, të cilat janë 163 janë në proces legalizimi. Ndërkohë kryebashkiaku Erion Veliaj tha se banorët që i kanë shtëpitë pa dokumente do marrin 3 vjet qira, ndërsa kush i ka godinat me letra do i marrë lekët e dëmshpërblimit kokërr më kokërr. /a.y/noa.al

Rama i prerë me banorët e Unazës së Re: Zaptues profesionistë! S’ka legalizim