Transmetuar më 19-11-2018, 13:32

Kreu i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, pas takimit që pati sot me delegacionin e Komisionit të Venecias, të cilët ndodhen në Tiranë për tu njohur gjerësisht me propozimin Partisë Demokratike për të kaluar në sitë integritetin e politikanëve në kuadër të procesit të vetingut, tha se mendimi i tyre është i mirëpritur.

Deputeti socialist deklaroi se Komisioni i Venecias është tabani i demokracisë, ndërsa takimin e cilësoi si shumë të frytshëm, informues dhe shterues.

“Shpresojmë dhe besojmë shumë në kompetencën dhe autoritetit të Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese.

Natyrisht mendimet tona do ua japim edhe me shkrim, por gjithsesi ne mirëpresim opinionin miqësor të Komisionit të Venecias”, u shpreh Manja.

Ai vlerësoi po ashtu se në gjithë ndryshimet kushtetuese që ka pësuar Shqipëria është marrë opinioni miqësor i Komisionit të Venecias.

Megjithatë siç tha Manja, opozita është e paqartë në qëndrimin që ka ndaj Komisionit. /a.y/noa.al