Transmetuar më 18-11-2018, 08:18

Kompanitë private kanë vite që lobojnë për të futur kolonën e dytë në sistemin e pensioneve, çka do të thotë se një pjesë e kontributeve që derdhen në shtet do të administrohen nga skemat private të pensioneve.

Me anën e këtyre ndryshimeve, nëpërmjet plotësimit të sistemit të përgjithshëm të sigurimit shoqëror hapet mundësia për krijimin e skemave të pensioneve me kontribute të detyrueshme të përcaktuara. Skema suplementare me financim kapital dhe veprimtaria e këtyre fondeve parashikohet të normohen me ligj të veçantë.

Në relacionin që shoqëron ndryshimet në projektligj argumentohet se, duke vendosur një sistem të alternuar pensionesh me dy komponentë të rëndësishëm, një sistem publik bazë të konsoliduar dhe një sistem privat të zhvilluar, krijohen premisa, jo vetëm për përmirësimin gradual të situatës financiare të sistemit të pensioneve, por ndihmon ekonominë e vendit, duke mobilizuar kursimet e popullatës nëpërmjet kontributeve të tyre.

Gjithsesi, vendosja e një sistemi të detyrueshëm privat ka nevojë për studime më të plota, sidomos për kostot e biznesit, tregjet e investimeve, zhvillimin e tregjeve financiare, mbikëqyrjen etj., dhe për të arritur këtë, do të duhet një ligj tjetër i posaçëm.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore argumenton se skema e pensioneve kërkon ndërhyrje intensive edhe në 10 vitet në vijim për t’iu përshtatur zhvillimeve të vrullshme demografike. Vitet e fundit, problemet e pensioneve dhe sidomos deficitet financiare të skemave shtetërore janë një shqetësim i dukshëm në të gjitha vendet e botës, kjo ndër të tjera edhe si rrjedhojë e ritmeve me të cilat rritet popullsia e tretë, për shkak të rritjes së jetëgjatësisë së popullatës dhe të rënieve të ritmeve të lindjeve.

Këto situata kanë shtruar nevojën e gjetjes së rrugëve të përshtatshme dhe të drejta të financimit të të drejtave të fituara, reduktimin e kostove të ardhshme të këtyre sistemeve, formulimin e sistemeve të drejta që i bëjnë kontribuuesit të interesuar, u sigurojnë atyre mbrojtje më të mirë me të ardhura në pleqëri, si dhe krijojnë përgjegjësi të përbashkët të mbulimit të nevojave jetësore në pleqëri, midis shtetit dhe individit.

Pensionistët që punojnë do të kenë pensione më të larta

Në projektligjin që paraqitet për shqyrtim, ndër të tjera është parashikuar edhe vendosja e një mbipensioni për të gjithë pensionistët që ndërkohë që marrin këstet mujore të pensionit të pleqërisë, edhe punojnë dhe paguajnë kontribute. Në nenin 57 të ligjit 7703, në pjesën e dispozitave të përgjithshme, është përcaktuar se këstet mujore të përfitimit ndërpritet kur personi përfitues zhvillon veprimtari ekonomike, si i punësuar apo vetëpunësuar.

Ndërkohë, duke pasur parasysh se pensioni mujor sidomos pensioni minimal, është në kushtet e mjaftueshmërisë të plotësimit të kërkesave jetësore, me një dispozitë të veçantë, është miratuar lejimi i tërheqjes së pensionit të pleqërisë kur personi është i punësuar apo vetëpunësuar me kusht që ai të paguajë kontribute. Deri më sot, kontributet e paguara nuk kanë rivlerësuar masën e pensionit të përfituesit, por kanë shkuar si solidaritet, ndërkohë që gjithmonë ka pasur kërkesa që, nëse kontributet e derdhura nuk shkojnë në rritjen e masës së pensionit, atëherë kjo kategori të përjashtohet nga derdhja e kontributit.

Duke analizuar këto propozime, por edhe duke vlerësuar se çdo përjashtim nga pagesa e kontributeve mund të krijojë probleme në tregun e punës dhe në administrimin fiskal, me projektin që paraqitet për shqyrtim vendoset që për çdo vit që pensionisti që punon të marrë një shtesë mbi pension e caktuar prej 2.4% në vit./monitor/