Transmetuar më 17-11-2018, 11:45
Pamje nga protestat e meparshme te banoreve qe preken nga projekti i Unazes se Madhe

Avokati i Popullit del me deklaratë dhe thotë se është angazhuar për një hetim të plotë dhe cilësor të situatës së krijuar me rastin e zgjerimit të Unazës së Re në Tiranë.

Institucioni i Avokatit të Popullit bën me dije se po e ndjek me vëmendje situatën e krijuar mes qindra qytetarëve dhe autoriteteve shtetërore si pasojë e zgjerimit të Unazës së Re.

Një peticion i nënshkruar nga mbi 200 qytetarë i është dërguar Avokatit të Popullit, me kërkesën që institucioni të hetojë nëse ka shkelje të procedurave shtetërore që cenojnë të drejtën e tyre.

Edhe përpara mbërritjes së këtij peticioni, prej të paktën dy javësh, Avokati i Popullit thotë se ka nisur me iniciativë hetimin administrativ mbi këtë çështje që duket se prek interesat e një numri të madh qytetarësh.

Avokati i Popullit ka vërejtur ndërkohë qysh prej qershorit, kur problematika e zgjerimit të njërit prej loteve të Unazës së Re që prek zonën e Shkozës solli përplasje mes qytetarëve dhe autoriteteve publike, se duheshin marrë masa që situata të evitohej gjatë punimeve në lotet e tjera të kësaj vepre, siç është rasti me zonën aktuale tek ‘Astiri’.

Konstatohet se fatkeqësisht, asnjë prej rekomandimeve që Avokati i Popullit përfshiu në raportin e tij special i cili iu dërgua gjithë institucioneve relevante, përfshi Kuvendin e Shqipërisë, nuk është adresuar dhe për pasojë, jemi në kushtet e një krize të re të paralajmëruar.

“Sidoqoftë, në përputhje me ligjin në bazë të të cilit vepron, Avokati i Popullit ka depozituar edhe kësaj radhe kërkesa për informacion në të gjitha institucionet shtetërore të përfshira në këtë proces, si Bashkia e Tiranës, ALUIZNI, ARRSH, IKMT etj. Gjithashtu, përfaqësues të institucionit kanë marrë kontakt si me përfaqësues të këtyre autoriteteve shtetërore, ashtu edhe në terren me banorët duke e parë konkretisht situatën në mënyrë që argumentimi i raportit që pritet të përfundojë të jetë sa më korrekt”, thuhet në deklaratë.

Institucioni i Avokatit të Popullit vëren se është e domosdoshme që jo vetëm çdo veprim i cili cenon pronën e qytetarëve të kryhet në konsultim e në mirëkuptim me ta, por edhe institucionet përgjegjëse të ndërmarrin në çdo rast përpjekje për dialog me synim arritjen në një zgjidhje që nuk lë asnjë qytetar shqiptar të humbasë besimin tek institucionet  dhe shteti.

Gjithashtu, institucioni e vlerëson si tepër të rëndësishme që asnjë ndërtim të mos nisë nga punimet pa u pajisur fillimisht me lejen përkatëse dhe nënvizohet se ky duhet të jetë një standard i cili duhet të vlejë njëlloj si kur zbatohet mbi qytetarët ashtu edhe mbi institucionet shtetërore që ndërmarrin punime.

Banorët që preken nga projekti i Unazës së Madhe prej afro 15 ditësh dalin përditë në protestë në protestë, duke kërkuar që të gjendet zgjidhje për ta, duke thënë se nuk do largohen nga banesat, pa u bërë kompensimi sipas vlerës së tregut.

Objektet që prishen nga projekti janë ato të ngritura nga zona e “Pallatit me shigjeta” e deri te sheshi “Shqiponja”, në të dy anët e rrugës.

Nga vlerësimi i bërë në terren janë 317 objekte që preken, të cilat janë 163 janë në proces legalizimi. Ndërkohë kryebashkiaku Erion Veliaj tha se banorët që i kanë shtëpitë pa dokumente do marrin 3 vjet qira, ndërsa kush i ka godinat me letra do i marrë lekët e dëmshpërblimit kokërr më kokërr. /a.y/noa.al