Transmetuar më 16-11-2018, 14:35
Foto arkiv, takim Meta-Ruçi

Presidenti Ilir Meta është takuar me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, pak pas dekretit të tij për të liruar nga detyra e ushtarakut, gjeneral Sandër Lleshaj.

Me anë të dekretit Meta hap dritën jeshile dekretimit të tij si ministër i Brendshëm pas propozimit për të dytën herë, nga Kryeministri Edi Rama.

Sakaq takimi mes Metës dhe Ruçit ka zgjatur afro 20 minuta dhe është mbajtur në një hotel në qendër të Tiranës.

Megjithatë nuk dihet ende se për çfarë ka diskutuar kreu i shtetit me kryeparlamnetarin.

Ndërkohë më herët ditën e sotme Presidenti Ilir Meta, teksa ishte i pranishëm në një aktivitet, u pyet nga gazetarët nëse do e dekretojë Lleshin.

“Ka kohë deri në darkë”, u shpreh shkurt Presidenti.

Teksa me anë të një deklarate publike pak ditë më parë Meta sqaroi arsyet e refuzimit të dekretimit duke thënë se një gjeneral nuk mund të jetë ministër, Kryeministri iu përgjigj po në të njëjtën formë.

Rama i tha se, “Ju mund të çdekretoni Sandër Lleshaj si gjeneral aktiv ( bazuar në kërkesën e tij drejtuar jush) dhe pastaj ta dekretoni atë ministër të Brendshëm (bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë). /a.y/noa.al

Meta jep dritën jeshile për ta bërë ministër, liron Lleshaj si gjeneral