Transmetuar më 16-11-2018, 12:30
Mustafa Lici, Fatos Ferracaku

Gjatë ditës së djeshme, një ditë pas atentatit ndaj Fatos Ferracakut dhe plagosjes së kunatit të tij, Fatmir Mehaj, është shoqëruar në polici Mustafa Lici.

I shoqëruari i cili është edhe këshilltar në bashkinë e Shkodrës, i dalë nga radhët

e Partisë Mendimi i Djathtë Liberal ka mohuar të ketë dijeni mbi ngjarjen.

Ndërsa është shoqëruar në polici për më se gjashtë orë këtë të enjte, Lici, ka thënë se nuk di asgjë lidhur me autorët e mundshëm dhe se ditën e krimit ka qenë në Tiranë.

“Isha në Tiranë me deputetë të Partisë Demokratike, për një mbledhje që kishim atje”, ka thënë Lici gjatë marrjes në pyetje.

Mustafa Lici është vëllai i Fatbardh Licit, i cili u ekzekutua më 10 gusht, pranë shtëpisë së tij nga një makinë me shpejtësi, e cila u zhduk pak pas ngjarjes.

Shoqërimi i Licit është bërë, pasi pranë zonës ku jeton familja Lici, është gjetur një motor i djegur, i cili mendohet se është përdorur nga autorët e atentatit të djeshëm.

Kujtojmë se 40-vjeçarit Fatos Ferracaku i cili u ekzekutua këtë të mërkurë, më 1 shtator i kanë vrarë kushëririn Arjan Ferracaku, i cili u vra me armë zjarri teksa kalëronte.

Arjan Ferracaku rezultonte pronar i dy bizneseve në Velipojë, ndërkohë që u ekzekutua në një zonë periferike, pikërisht aty ku gjenden në mënyrë të përsëritur makinat e djegura të përdorura në krime të ndryshme.

Aktualisht po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për të zbuluar lidhjen që mund të ekzistojë mes ekzekutimit të dy kushërinjve, brenda një kohe kaq të shkurtër.

Ndërkohë Fatos Ferracaku u qëllua për vdekje në kokë dhe në gjoks, kunati i tij Fatmir Mehaj me të cilën ndodhej në një lokal në lagjen “Partizani”, në vendin e quajtur ‘Merkata Rus”, mbeti i plagosur në kofshën e këmbës, teksa ndërhyri për të parandaluar ngjarjen.

Bazuar në dëshmitë e marra nga policia, rezulton se kanë qenë dy persona me motorë dhe me skafandra në kokë ata që kanë bërë atentatin.

Njëri ka qëndruar në motor, ndërsa tjetri i veshur me xhup të kuq me të bardhë dhe me skafandër të kuqe në kokë, ka zbritur për të kryer atentatin.

Pasi e ka qëlluar Ferracakun nga një distancë prej disa metrash, ai është afruar dhe e ka qëlluar në kokë, duke u siguruar që e kishte kryer ekzekutimin.

Atentatori është ka hipur me shpejtësi në motor dhe ka qëlluar në ajër, duke tentuar të mbajë larg personat që ndodheshin në zonë.

Sakaq një motor ngjyrë gri tip “TMAX” 550 kubik, me shpejtësi të madhe, është gjetur i djegur pak pas krimit në lagjen “Guerrile”, i cili mendohet se është përdorur nga autorët.

Një efektiv policie i cili në momentin e ngjarjes ishte civil ka tentuar që të ndjekë autorët por pa rezultat, për shkak të largimit me shpejtësi të madhe.

Bazuar në dëshmitë e marra atentatori poshtë skafandrës ka pasur edhe kapuç të zi të çarë vetëm në pjesën e syve, çka nuk lejonte identifikimin e tij, ndërsa drejtuesi i motorit ka qenë me skafandër në kokë.

Paraprakisht dyshohet se ekzekutimi është kryer nga një vrasës profesionist, duke pasur parasysh saktësinë e ekzekutimit dhe mënyrën e veprimit. /a.y/noa.al

Atentati në Shkodër, viktima dyshohet se kryente vrasje me pagesë

Ekzekutimi i Ferracakut, mbërrijnë në Shkodër zyrtarë të lartë policie dhe prokurorë Një i vrarë dhe një i plagosur në Shkodër, rindërtohet skena e krimit

I shtrirë në tokë dhe i gjakosur, pamje të rënda nga atentati në Shkodër

Viktima e atentatit në Shkodër u qëllua me plumb në kokë, lidhja me ekzekutimin e kushëririt