Transmetuar më 15-11-2018, 15:29

Qeveria hungareze ka reaguar lidhur me kërkesën e ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski për të kërkuar azil politik në Hungari, pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar.

Përmes një reagimi publik, Hungaria thekson se qeveria nuk e ka ndihmuar Gruevskin që të largohej nga Maqedonia. Nikola Gruevski, u largua nga vendi i tij për t’i shpëtuar dënimit të gjykatës me 2 vite burg për korrupsion.

Një ditë më parë Qeveria e Viktor Orban në Hungari ka deklaruar se e kanë pranuar kërkesën për azil të ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

"Duke pasur parasyshë se Gruevski ka qenë për 10 vite kryeministër dhe duke marrë në konsideratë rrethanat e sigurisë, autoritetet tona i kanë lejuar Gruevskit të dorëzojë zyrtarisht kërkesë për azil dhe e kanë dëgjuar arsyetimin e tij në zyrat e Byrosë për migrim dhe azil në Budapest", thuhet në një reagim të qeverisë së Budapestit.

"Autoritetet hungareze do ta shqyrtojnë kërkesën e Gruevskit dhe do ta vlerësojnë në përputhje me ligjet hungareze dhe ato ndërkombëtare. Ne nuk dëshirojmë të ndërhyjmë në punët e brendshme të shteteve sovrane dhe konsiderojmë se vlerësimi i kërkesës për azil për ish kryeministrit do të shqyrtohet vetëm në aspektin juridik", theksojnë nga kabineti i Orban duke shtuar se nuk mund të ndajnë më shumë informacione me opinionin lidhur me procedurën për azil të ish kryeministrit Gruevski para se të përfundojë procedura./b.l/noa.al/