Transmetuar më 15-11-2018, 13:53
Mustafa Lici, Fatos Ferracaku

Lidhur me ekzekutimin mafioz të ndodhur ditën e djeshme në Shkodër, ku mbeti i vrarë Fatos Ferracaku dhe u plagos shoku i tij Fatmir Mehaj, policia ka shoqëruar Mustafa Licin.

Lici është vëllai i Fatbardh Licit, i cili u ekzekutua më 10 gusht, pranë shtëpisë së tij nga një makinë me shpejtësi, e cila u zhduk pak pas ngjarjes.

Shoqërimi i Licit, i cili është edhe këshilltar në bashkinë e Shkodrës është bërë mëngjesin e sotëm, ku për afro gjashtë orë u morr në pyetje lidhur me ngjarjen. Kjo pasi pranë zonës ku jeton familja Lici, është gjetur një motor i djegur, i cili mendohet se është përdorur nga autorët e atentatit të djeshëm.

Kujtojmë se 40-vjeçarit Fatos Ferracaku i cili u ekzekutua ditën e djeshme, më 1 shtator i kanë vrarë kushëririn Arjan Ferracaku, i cili u vra me armë zjarri teksa kalëronte.

Arjan Ferracaku rezultonte pronar i dy bizneseve në Velipojë, ndërkohë që u ekzekutua në një zonë periferike, pikërisht aty ku gjenden në mënyrë të përsëritur makinat e djegura të përdorura në krime të ndryshme.

Aktualisht po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për të zbuluar lidhjen që mund të ekzistojë mes ekzekutimit të dy kushërinjve, brenda një kohe kaq të shkurtër.

Ndërkohë Fatos Ferracaku u qëllua për vdekje në kokë dhe në gjoks, ndërsa miku i tij Fatmir Mehaj me të cilën ndodhej në një lokal në lagjen “Partizani”, në vendin e quajtur ‘Merkata Rus”, mbeti i plagosur në kofshën e këmbës, teksa ndërhyri për të parandaluar ngjarjen.

Bazuar në dëshmitë e marra nga policia, rezulton se kanë qenë dy persona me motorë dhe me skafandra në kokë ata që kanë bërë atentatin.

Njëri ka qëndruar në motor, ndërsa tjetri i veshur me xhup të kuq me të bardhë dhe me skafandër të kuqe në kokë, ka zbritur për të kryer atentatin.

Pasi e ka qëlluar Ferracakun nga një distancë prej disa metrash, ai është afruar dhe e ka qëlluar në kokë, duke u siguruar që e kishte kryer ekzekutimin.

Atentatori është ka hipur me shpejtësi në motor dhe ka qëlluar në ajër, duke tentuar të mbajë larg personat që ndodheshin në zonë.

Sakaq një motor ngjyrë gri tip “TMAX” 550 kubik, me shpejtësi të madhe, është gjetur i djegur pak pas krimit në lagjen “Guerrile”, i cili mendohet se është përdorur nga autorët.

Një efektiv policie i cili në momentin e ngjarjes ishte civil ka tentuar që të ndjekë autorët por pa rezultat, për shkak të largimit me shpejtësi të madhe.

Bazuar në dëshmitë e marra atentatori poshtë skafandrës ka pasur edhe kapuç të zi të çarë vetëm në pjesën e syve, çka nuk lejonte identifikimin e tij, ndërsa drejtuesi i motorit ka qenë me skafandër në kokë.

Paraprakisht dyshohet se ekzekutimi është kryer nga një vrasës profesionist, duke pasur parasysh saktësinë e ekzekutimit dhe mënyrën e veprimit. /a.y/noa.al

Flet vëllai i Fatbardh Licit: Morën nga ngujimi 15-vjeçarin për vrasjen e biznesmenit

Ke të fala nga…” Çfarë i tha vrasësi Fatbardh Licit para se të hapte zjarr me breshëri