Transmetuar më 15-11-2018, 12:07

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë ditën e sotme vendimin për prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Ramadan Troci, i cili iu nënshtrua procesit të vetingut.

KPK komunikoi mesditën e sotme, shkarkimin nga detyra të prokurorit, i cili u gjet i papërshtatshëm për të vijuar detyrën.

Troci u verifikua me përparësi për shkak se kandidon për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Nga verifikimet e kryera KPK konstatoi se nga deklarata e pasurisë në ILDKPKI, rezulton që prokurori të ketë bërë deklarim të rremë, duke u konstatuar fshehje.

Relatorja e çështjes Pamela Qirko deklaroi në seancën dëgjimore se pasuritë nën hetim janë një apartament banimi 108.7 m2 i ndodhur ne Kashar, ku si burim i blerjes së kësaj pasurie janë deklaruar 2.9 milionë lekë të reja kursime nga ai dhe bashkëshortja dhe kredi 2.5 milionë lekë.

Burimet për blerjen e apartamentit rezultojnë të ligjshme, por ka dyshime lidhur me 7 milionë lekë të vjetra të ardhura të deklaruara nga gruaja, të cilat janë transferuar në llogari bankare nga nëna e saj.

Po ashtu pikëpyetje janë ngritur edhe lidhur me të ardhurat për blerjen e një makine 7 milionë lekë të vjetra.

Prokurori Ramadan Troci, njihet si urdhëruesi i arrestimit të ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. /a.y/noa.al