Transmetuar më 14-11-2018, 20:48

Pas thirrjeve të banorëve te “Astiri” në Tiranë, që kërkuan reagimin edhe të Presidentit Meta për prishjen e shtëpive të tyre, kreu i shtetit ka deklaruar se kjo çështje meriton dialog.

Përmes një reagimi për mediat, Meta bën thirrje për vendosjen e një dialogu dhe konsultimi mes qytetarëve dhe autoriteteve, me qëllim që të gjithë ankesat  të vlerësohen me transparencë dhe përgjegjësi, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe objektive.

Presidenti Meta u bën thirrje të gjitha institucioneve të zbatojnë me përpikmëri procedurat ligjore për hartimin, miratimin dhe implementimin e këtij projekti urban në mënyrë që realizimi i tij të  mundësojë një zgjidhjeje të drejtë për të gjithë qytetarët dhe interesin publik në tërësi.

“Presidenti Meta do t’i drejtohet institucioneve përgjegjëse për të marrë informacionin e duhur në lidhje me ndjekjen e procedurave të deritanishme për këtë çështje”, thuhet në reagim.

Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe të gjitha institucionet shtetërore duhet të tregojnë përgjegjshmëri në respektimin e plotë të tyre, thuhet më tej.

Ndërkaq, protestat e qytetarëve vijojnë prej 11 ditësh. /k.k/noa.al/