Transmetuar më 14-11-2018, 19:37

Qyteti i Shkodrës është tronditur paraditen e sotme nga një atentat që la pas një të vdekur dhe një të plagosur në gjendje të rëndë.

Në lagjen “Rus” të Shkodrës u qëllua me breshëri plumbash Fatos Ferracaku, i cili mbeti viktimë, dhe i plagosur mbeti Fatmir Mehaj që ndodhet në spital.

Fatos Ferracaku është qëlluar me plumba në kokë dhe në gojë teksa po pinte kafe në një lokal me mikun e tij Fatmir Mehaj.

31-vjeçari Ferracaku mendohet se ishte edhe shënjestra e këtij atentati, i cili është kushëriri i tretë i Arjan Ferracakut, i njohur ndryshe si “biznesmeni mbi kalë”, i cili u ekzekutua disa muaj më parë në një atentat mafioz.

Atentati i sotëm u krye nga dy persona të maskuar të cilët ishin mbi një motor.

Një video e bërë në momentin kur Mehaj dhe Ferracaku sapo ishin qëlluar, tregon momentet pak pas ngjarjes.

Ky atentat ka tronditur jo pak shkodranët, pasi edhe zona ku gjithçka ka ndodhur është mjaft e populluar.