Transmetuar më 14-11-2018, 16:14

Kuvendi i është drejtuar me një shkresë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke i kërkuar informacione se në çfarë faze ndodhen hetimet për çështjen CEZ. Në shkresën e nënshkruar nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, thuhet se afati 3 mujor i zgjatjes së hetimeve ka përfunduar më 31 tetor.

"Duke qenë se afati 3 mujor për zgjatjen e afatit të hetimeve i vendosur nga GJykata ka përfunduar më datë 31 tetor 2018, Kuvendi i Shqipërisë në cilësinë e palës së interesuar në këtë proces (kallëzues), mbështetur në nenin 105 të Kodit të Procedurës Penale, kërkon të na informoni në lidhje me stadin ku ndodhet hetimi i kësaj çështjeje si dhe të na vini në dispozicion kopje, ekstrakte ose vërtetime të akteve të veçanta që dispononi", thuhet në letrën drejtuar Elisabeta Imerajt, drejtuese e Prokurorisë së Rrethit Tiranë.

Por, pak ditë më parë prokurorët kanë kërkuar nga Gjykata zgjatjen e afateve të hetimit edhe për tre muaj të tjerë. Kërkesë e cila është duke u shqyrtuar nga gjykatëse Lazër Sallaku.

Hetimet mbi çështjen e shumëpërfolur “CEZ”, mbahen peng nga dëshmia e biznesmenit Kosovar Nue Kalaj. Përmes një leterporosie autoritetet kosovare informojnë prokurorinë shqiptare se kërkimet policore për gjetjen e Kalajt nuk kanë dhënë rezultat.

Për këtë arsye nuk është bërë e mundur pyetja e tij për llogari të çështjes hetimore që po zhvillohet në Shqipëri. Në kushtet kur dëshmia e Nue Kalaj, njeriut të konsideruar nga socialistët si sekser në procesin e privatimit të OST nga kompania çeke CEZ, konsiderohet si provë kyce për t’i dhënë zgjidhje çështjes, Prokuroria ka vështirësi për të dalë në vendimmarrje./b.l/noa.al/