Transmetuar më 14-11-2018, 13:23

Është mbajtur ditën e sotme, ceremonia e rivarrosjes së eshtrave të shkrimtarit të njohur Mid’hat Frashëri.

Në ceremoninë e rastit, Kryeministri Edi Rama tha se eshtrat e tij do të prehen pranë vëllezërve Frashëri, babait të tij Abdyl Frashëri dhe xhaxhallarëve Naim Frashëri dhe Sami Frashëri.

“Mid’hat Frashëri ishte një personalitet plotë hije plot dije, i cili ia kushtoi jetën studimeve të tij. Nuk i negocioi kurrë bindjet e tij. U dënua në mungesë nga gjyqi rraskapitës i një historie të shkruar nga fitimtarët për të ulur të mundurit. Mjaft me përdorimin e atyre që nuk janë më, duke iu vënë në gojë ato që nuk i ka thënë kurrë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë e cilësoi si një mishërim dhe një shërbestar të mëmëdheut sipas kokës së tij.

“Ai shfaqej si armik natyral sa herë tentohej përçarja. Të lë pa frymë pozicioni për dramën e popullsisë shqiptare të Çamërisë të zhveshura për shkak të etnisë dhe besimit të tyre. Një flamurmbajtës i shënuar i të drejtave të minoriteteve të lirive themelore, pa dallim etnie dhe feje”, deklaroi Rama.

Më tej ai uroi që të prehet në paqe në tokën shqiptare, duke shtuar, “Koha pastroftë figurën e tij nga balta e hedhur”.

Arkëmorti me eshtrat e personalitetit të njohur të letrave shqipe, mbërriti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në aeroportin e Rinasit rreth orës 09.00 të kësaj të mërkure.

Në nderim të tij u mbajtën homazhe në Akademinë e Shkencave.

Mid’hat Frashëri kthehet në Shqipëri nga SHBA-ja, si firmëtar i pavarësisë dhe kryetari i Kongresit të Manastirit. Për kthimin e eshtrave të tij në Shqipëri, Këshilli i Ministrave akordoi fondin prej 3 239 400 lekë. /a.y/noa.al

Kthimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit, Basha: Qeveria s’ka asnjë meritë, bëri detyrën

Mbërrijnë në Shqipëri eshtrat e Mid’hat Frashërit