Transmetuar më 14-11-2018, 11:35

Corinna Schumacher thyen heshtjen pas thuajse pesë vitesh nga incidenti dramatik i të shoqit Michael Schumacher, i cili në 29 dhjetor 2013, u aksidentua duke bërë ski në Meribel të Francës, ku pasi përplasi kokën në shkëmb, përfundoi në koma.

Gjithçka e bëri nëpërmjet një letre si përgjigje ndaj muzikantit gjerman Sascha Herchenbach, i cili ka kompozuar një këngë në nderim të pilotit të Formula 1, “Born to Fight”, “I lindur për të luftuar”. Kjo pasi muzikanti ia dërgoi një kopje edhe Corinnës.

Kënga për Schumin është shkruar në dhjetor të vitit 2014, një vit pas aksidentit të kampionit gjerman.

“Michael është i fortë, një luftëtar i vërtetë dhe nuk do të dorëzohet”, shkruan Corinna në letër.

“Faleminderit për dhuratën dhe mbështetjen në këtë moment të vështirë”, thuhej më tej.

Letra është shkruar me dorë disa vite më parë, siç tregoi Herchenbach për revistën gjermane “Bunte”, por vetëm këto ditë u bë publike. Schumacher, aktualisht ndodhet në shtëpinë e tij në Zvicër dhe asistohet në mënyrë të vazhdueshme nga një staf mjekësh prej 15 personash, teksa rehabilitimi i tij duket i vështirë. /a.y/noa.al