Transmetuar më 14-11-2018, 08:30

Një ditë pasi do dilte para Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit, kryetarja e Gjykatës së Apelit në Vlorë, Alma Liçaj, ndoshta ka gjykuar një nga çështjen e fundit të karrierës së saj në gjyqësor, atë të ish-kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika dhe tre personave të tjerë.

Çështja e Gjikës, është nxjerrë me urgjencë në listën e çështjeve që duhet të gjykoheshin dhe me sa duket për këtë dyshohet se është kujdesur kryetarja e Gjykatës së Apelit Vlorë, Alma Liçaj dhe administrata gjyqësore që është nën urdhrat e saj.

“Shqiptarja.com” mëson se një ditë (të hënën) para se Liçaj të udhëtonte në drejtim të Tiranës, ku do përballej me raportin e anëtarëve të KPK (Vetting), kjo gjyqtare ka zgjedhur të gjykojë çështjen penale me të pandehur ish-kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika dhe të pandehurit e tjerë Artur Haxhi, Doriana Sulaj dhe Ridvan Mersinaj. Gjika në këtë proces penal akuzohej nga prokuroria e Vlorës për katër akuza dhe më konkretisht “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentash”, “Fshehje të provave të krimit” dhe “Ndërtim të paligjshëm”.

Për këto katër akuza, prokuroria e Vlorës dhe më konkretisht prokurori Albert Kuliçaj, ka kërkuar në pretencën e tij të dhënë në shkallën e parë, 8 vite burg për Gjikën, por këto akuza kanë rënë në gjykatën e Apelit Vlorë, e cila ditën e hënë e ka shpallur të pafajshëm ish-kryebashkiakun. Trupi gjykues i përbërë nga kryetarja e Gjykatës së Apelit Vlorë, Alma Liçaj, Petrit Aliaj dhe Iliba Bezati, ka shënuar një rekord të ri në historinë e gjyqësorit shqiptar.

Kjo pasi ka gjykuar një çështje mjaft sensitive, ku ishte përfshirë në veprimtari kriminale një ish-zyrtar i lartë i administratës shtetërore në Vlorë. Shpëtim Gjika, ish-kryebashkiaku që drejtoi Vlorën në tre mandate rradhazi, të hënën ka fituar betejën e tretë me drejtësinë shqiptare, pasi dy ditë më parë Gjika është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit Vlorë. Betejën e parë Gjika e fitoi kur mori pafajësi nga gjykata e Tiranës, e cila është ripërsëritur me një pafajësi të dytë. Por teksa Gjika, rrëzonte akuzat e prokurorisë në gjykatën e Tiranës, prokuroria e Vlorës po hetonte Shpëtim Gjikën për katër akuza.

Gjika së bashku me tre persona të tjerë Artur Haxhi, Doriana Sulaj dhe Ridvan Mersinaj, janë marë të pandehur dhe janë dënuar në gjykatën e shkallës së parë Vlorë. Gjika në këtë proces gjyqësor u dënua për një akuzë atë të ndërtimit të paligjshëm, duke u shpallur fajtor dhe dënuar me 4 vite burgim. Por ky dënim për Gjikën është pezulluar duke bërë që gjykata ta verë ish-kryetarin e bashkisë Vlorë në shërbim prove për një periudhë 2 vjeçare.

Ndërkohë në këtë proces është shpallur e pafajshme ish-shefen e urbanistikës në bashkinë e Vlorës, Doriana Beharaj. I përfshirë në këtë çështje biznesmeni Artur Haxhi, pronar i subjektit ndërtues “Turi&MZB” është dënuar me 3 vite burg, konvertuar në tre vite shërbim prove për akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtar më shumë se një herë. I fajshëm për akuzën e falsifikimit të dokumenteve është shpallur edhe Ridvan Mersini, i cili është dënuar nga gjykata me një vit burg të konvertuara në dy vite shërbim prove.

Por vetëm dy ditë më parë, Gjykata e Apelit Vlorë ka vendosur të prishë vendimin e dënimit të Shpëtim Gjikës dhe të shpallë atë të pafajshëm, ndërkohë që ka lënë në fuqi verdiktin e gjykatës së shkallës së parë për tre të pandehurit e tjerë. Prokuroria e Vlorës akuzonte ish-kreun e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika në lidhje me akuzat e ndërtimit të një pallati 11-katësh në Vlorë.