Transmetuar më 13-11-2018, 23:18

Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin “Repolitix”, thotë se të gjithë ata që e akuzuan ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri në bazë të përgjimeve të grupit Habilaj, duhet t’i kërkojnë të falur.

Pyetjes nga paneli i gazetarëve se nëse ish-ministri do të jetë i mirëpritur në PS nëse rezulton i pafajshëm pasi të mbyllen hetimet e prokurorisë shqiptare, kryeministri Rama i është përgjigjur:

"Së pari edhe njëherë nuk flas me nëse, unë jam i parimit që kam shpallur që në fillim dhe që e mbroj në vazhdimësi, problemet e çdo individi në PS me drejtësinë, janë probleme individuale. Nuk gjykohet nga mënyra se mund të ketë shkelur në dërrasë të kalbur por nga mënyra se si reagon,"-tha Rama.

Ai ka vijuar më tej duke u shprehur:

"Për gjithë atë llum që u derdh në portale, foltore, gojtore, për Saimir Tahirin, i duhet kërkuar ndjesë për faktin se rezultuan ashtu siç ishin. Një llum që nuk meriton asnjë lloj respekti. Jo ne, por prokuroria italiane, gjykata italiane provoi sesa i drejtë ishte qëndrimi ynë në parlament kur refuzoi arrestimin. Imagjinoni sikur ta kishim miratuar ne në bazë të ca llafeve të ca kriminelëve"./a.k/noa.al/