Transmetuar më 13-11-2018, 19:13
Foto ilustruese

Europa është prej më shumë se një viti, e bashkuar edhe në komunikim, sepse roaming nuk ekziston më. Thënë ndryshe, nëse jeton në Itali dhe shkon në Gjermani apo kudo në vendet e BE, flet dhe përdor rrjetet njësoj si në vendin ku përdor numrin.

Kjo është parë nga autoritetet e Bashkimit Evropian, si një mundësi e artë për të pasur komunikim sa më të lirshëm, ndërsa tani po kthehen sytë e BE edhe nga Ballkani Perëndimor.

Komisionerja Europiane për Ekonominë Digjitale dhe Shoqërinë, Mariya Gabriel, foli sot nga Tirana për një marrëveshje të re që konsiston në uljen e tarifave roaming ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Image may contain: 6 people, people sitting and indoor

Gabriel u takua me zëvendëskryeministren e Shqipërisë, Senida Mesi ku pjesë  bisedimeve ishte dhe çështja e roaming.

Në një njoftim zyrtar që shpërndau zyra për shtyp e zëvendëskryeministres, nuk jepeshin të dhëna mbi këtë çështje.

Sakaq, mësohet se zonja Gabriel deklaroi se “veprime të tilla si ulja e kostos roaming, do të ndihmojnë për modernizimin e Shqipërisë si dhe do t’i mundësojnë asaj të jetë plotësisht konkurruese, pas anëtarësimit, në Tregun e Përbashkët Digjital të Evropës”.

Për zonjën Gabriel, ulja e tarifave roaming gjithashtu do të shtonte numrin e turistëve në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Më herët këtë pranverë, Këshilli Bashkëpunimit Rajonal vendosi të propozojë uljen e tarifave të roaming-ut për të lehtësuar komunikimin në Ballkan.