Transmetuar më 13-11-2018, 17:07

Ndërsa deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste po kërkojnë prej disa javësh që të rritet nga 30 mijë në 40 mijë pragu i pagave të patatueshme, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, doli dje me një plan surprizë, krejt të kundërt nga të mandatarit e partisë së tij, duke u shprehur për taksim të të gjitha pagave në vend.

Ahmetaj tha se është për të vendosu tatim mbi të ardhurat personale për të gjitha pagat deri në 30 mijë lekë dhe përmendi nivelin 1.5 për qind.

Po ashtu ai u shpreh pro edhe idesë tjetër që të ulet pragu nga 30 mijë në 10 mijë lekë, pra të mos tatohen vetëm pagat mujore deri në 10 mijë lekë.

Kjo solli reagim në rrjetet sociale, duke krijuar pakënaqësi te një numër qytetarësh.

Ata shprehen se nuk e përballojnë dot këtë mori ndryshimesh fiskale që më e fundit është për ta regres pasi u pakëson të ardhurat mujore.

Shqetësimi u ngrit sot edhe në postimet e kryeministrit edi Rama. Ky i fundit, ka reaguar energjikisht duke e mohuar Ahmetajn, madje duke aluduar se “e kemi dëgjuar gabim”.

“Na thuaj perse ai ministri i qeverisë suaj do të ngrejë tatimin mbi rrogat. A je ti që ke thënë se do ul taksat, çfarë po bëni kështu”?

Në përgjigje të ndjekësit të tij në Facebook, z.Edi Rama mohoi të ishte e vërtetë duke ia veshur fajin medieve:

“Nuk ka asnjë ngritje tatimi mbi rrogat, në ç’kazan e ke dëgjuar këtë?”.

Replika ka vazhduar pasi lexuesi pohoi se “dëgjova Ministrin Ahmetaj dje” dhe u pasua nga përgjigjja e Ramës:

“E ke dëgjuar gabim ministrin”.

Deklarata e Ramës duket se ka qetësuar lexuesit, pasi ata reaguan: “Faleminderit Edi. Të paktën ju na jepni përgjigje. Në një farë mënyre si zgjidhje quhet”. /noa.al/