Transmetuar më 13-11-2018, 11:34

Një nga pjesëtarët e bandës së “Avdylajve” të Shijakut, Astrit Avdyli i arrestuar gjatë operacionit “Vol-Vo 4”, ka dalë sot para Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, për të kërkuar lirinë, teksa ndodhet në arrest me burg.

Gjatë fjalës së mbajtur në seancë, ai ka kërkuar lirinë, kur ka bërë një thirrje të fortë “Rroftë Vangjush Dako, rroftë Partia Socialiste, se aty i qaj hallet”.

Po ashtu ai ka thënë se nuk ka njohje me grupin e “Ndokajve” në Lezhë, duke deklaruar se i ka njohur në burg.

Astrit Avdyli, është kreu i bandës së “Shijakut” i cili u arrestua bashkë me vëllanë Shkëlqim Avdyli dhe kushëririn e tij, Jasim Avdyli, të cilët akuzohen për trafik ndërkombëtar droge.

Familja Avdyli është mjaft e njohur në zonën e Shijakut, për shkak se zotëron një sërë biznesesh.

Sakaq opozita, prej kohësh akuzon kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, si të lidhur me bandën e “Avdulajve” dhe se i ka përdorur për blerje votash në zgjedhje.

Në seancën e sotme gjyqësore, kërkojnë lirinë 24 të pandehur, mes tyre anëtarë të grupit të Shijakut dhe Lezhës, ku si të dyshuar janë arrestuar edhe ish-deputetët socialistë Arben Ndoka dhe Arben Çuko.

Por dy ish-deputetët nuk janë paraqitur në seancë, duke zgjedhur të mbrohen me avokatë.

Ndoka u arrestua gjatë operacionit “Vol-Vo 4”, si pjesë e një skeme për tjetërsimit të pronave në zonën e Ranës së Hedhun dhe Kunes në Shëngjin, ndërsa vëllai i tij dyshohet për trafik droge i lidhur me Avdulajt.

Sakaq ish-deputeti Çuko, u arrestua, pasi gjatë përgjimit të anëtarëve të grupit të Shijakut, në periudhën që ka qenë drejtor i Burgjeve, në këmbim të ryshfeti ka lejuar transferimin e një të dënuari. /a.y/noa.al