Transmetuar më 13-11-2018, 09:19

Një person është vënë në pranga nga policia kufitare në aeroportin e Rinasit, teksa ka tentuar të korruptojë një punonjëse, me 50 euro për të kaluar në hapësirën Schengen.

Nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas u arrestua në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, J. R.,18 vjeç, lindur në Burrel, Mat.

Arrestimi i tij u bë për arsye se shtetasi J. R., pasi i është refuzuar dalja nga Republika e Shqipërisë nga punonjësit e PKK Rinas, ka shkuar sërish të sportelet e daljes dhe ka tentuar të korruptojë punonjësen e policisë kufitare të planizuar me shërbim në këto sportele.

Ai i ka ofruar me një shumë prej 50 euro, me qëllim që punonjësja e policisë ta lejonte të kalonte kufirin në drejtim të shtetit të Belgjikës, siç edhe kishte prerë biletën e udhëtimit, në kundërshtim me rregullat për udhëtimin në hapësirën Schengen.

Sakaq bëhet me dije se gjatë dy javëve të fundit në Rinas nga Policia Kufitare janë kapur 4 persona në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Gjithashtu janë proceduar 6 persona me dokumente të falsifikuara, 12 për kalim të paligjshëm kufiri dhe një për mosdeklarim të hollash në kufi. /a.y/noa.al