Transmetuar më 12-11-2018, 21:27

Kreu i PD, Lulzim Basha i ftuar në studion e "360 Gradë" tha se konflikti midis Presidencës dhe Kryeministrisë për çështjen e ministrit të ri të Brendshëm, është një nga dimensionet e krizës së mungesës së Gjykatës Kushtetuese.

" Problemi institucional që i takon një institucioni, që është Gjykata Kushtetuese, që vendos për interpretimin e Kushtetutës, përcakton qëndrimet e kryeministrit dhe Presidentit. Ajo që është zbuluar në këtë episod një javor, është dimensioni institucional i krizës që përjetojnë shqiptarët, ky është dimensioni i krizës kushtetuese. Që prej një viti, shqiptarët nuk kanë Gjykatë Kushtetuese. Një vend pa Gjykatë Kushtetuese, është një vend që qeveriset në kushtet e paligjshmërisë. Madje, dikush do të thoshte në kushte të ngjashme me grushtin e shtetit", shprehet Basha.

Basha vijon më tej duke thënë se pushteti po merret në dorë nga një grusht njerëzish, që sipas tij po e shohim çdo ditë.

"Me zhdukjen e Gjykatës Kushtetuese, do të thotë që ky pushtet absorbohet nga një grusht njerëzish dhe këtë e shohim ditë për ditë, që nga ligji për teatrin e deri tek protesta e banorëve që shohim tek Unaza e Re. Dimensioni institucional i krizës është i qartë edhe me rastin e konfliktit të Presidentit dhe kryeministrit për ministrin e Brendshëm."- deklaroi Basha./a.k/noa.al/