Transmetuar më 12-11-2018, 16:55

Pas kallëzimit që bënë krerët e grupeve parlamentare të PD-së Edmond Spaho dhe ai i LSI-së Petrit Vasili për kryeministrin Edi Rama, lidhur me deklaratat e këtij të fundit ndaj oficerit Emiljano Nuhu, vjen përgjigja nga prokuroria.

Kjo e fundit ka mbyllur çështjen ndaj Ramës lidhur me pretendimet e opozitës se Rama kërcënoi Nuhun, i cili denoncoi publikisht djalin e deputeti te PS Rrahman Rraja. Lajmi është bërë i ditur nga Vasili përmes një postimi në ‘Facebook’, duke e shoqëruar edhe me vendimin e prokurorisë pranë gjykatës së Shkallës së Parë.

Vasili e ka cilësuar këtë fakt një turp, ndërsa sulmoi prokurorinë se ky institucion është blerë nga Rama.“Tjetër turp, Prokuroria e blerë i mbyll çështjen Edi Rames per kercenimin ndaj E.Nuhut.

Prokuroria e turpit i mbyll hetimin Edi Ramës për kanosjen dhe kërcënimin e egër publik ndaj oficerit Emiljano Nuhu.

Prokuroria ka iluzionin e gënjeshtërt se nuk do të japë llogari deri në një, kolektivisht dhe në mënyrë individuale, për këtë standart të poshtër të saj, që nga njëra anë i mbyll çdo vepër penale kryeministrit dhe nga ana tjetër fut në burg qytetarët se protestojnë për prishjen e padrejtë shtëpive nga qeveria.

Ja dokumenti që provon se prokuroria është blerë nga kryeministri kokë e këmbë dhe është kthyer në një pece këmbësh e kryeministrit”, shkruan Vasili./b.l/noa.al/