Transmetuar më 12-11-2018, 11:46

Ka dalë sot para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, pas ankimimit të bërë ndaj tij nga Komisioneri Publik.

Kjo pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, e konfirmoi në detyrë, duke e nxjerrë të pastër nga verifikimet e bëra në kuadër të procesit të vetingut.

Në seancën e sotme në KPA, të drejtuar nga Luan Daci, me relatorë Sokol Çomon dhe anëtarë relator Albana Shtylla, Ina Rama, Rezarta Schuetz, komisioneri publik bëri paraqitjen e verifikimeve.

Komisioneri Florjan Ballhysa tha se verifikimet lidhur me pasurinë e gjyqtarit nuk kanë qenë të plota. Ai deklaroi se hetimi duhej më i plotë, për pasuritë e luajtshme, të paluajtshme si edhe llogaritë bankare.

“Për pronën 1000 metër katrorë në Kapen në Kavajë, që është në pronësi të Islamajt. Këtë pronë, Islamaj e ka blerë për 1000 mijë euro nga një shtetas shqiptar dhe bashkëshortja e shitësit nga Afrika. Këtë pronë e ka blerë në 2015. Çmimi i shitjes është më i ulët sesa çmimi i referencës që është miratuar nga qeveria. Shitësi e ka regjistruar pronën 1 muaj para se t’ia shiste Islamajt”, u shpreh ai.

Ballhysa, pyeti se si u kthye nga pronë shtetërore në tokë të gjyqtarit dhe me një çmim 25 herë më të ulët se ai i tregut.

Sipas tij, një pronë e tillë është vetëm dhjetë metra larg bregut dhe në një zonë të prekur nga investimet strategjike.

Po ashtu ai tha se bashkëjetuesja e Islamaj ka tre pasuri të paluajtshme dhe se deri më 2017 nuk i ka deklaruar.

“Burimi i këtyre tri pronave, apartament 141 m2 dyqan dhe garazh në Durrës zonja i ka blerë të treja me një çmim prej 1 milion lekë, por në 2012 i ka rivlerësuar shumë fish. KPK s’ka hetuar zonjën se ku i gjeti paratë dhe nëse ka paguar ose jo, tatimet”, tha Ballhysa.

Ai ngriti pikëpyetje edhe për makinën “Land Rover” të gjyqtarit të blerë për 21 mijë euro, çka sipas tij nuk justifikohet ndonëse në deklaratë thuhet se 60% pronar është i ati.

Komisioneri ka kërkuar të hetohen edhe udhëtimet jashtë shtetit me bashkëjetuesen e tij dhe ka kërkuar të dihet origjina e parave që ka mbuluar këto shpenzime. /a.y/noa.al