Transmetuar më 12-11-2018, 08:31
Ilir Meta, Sander Lleshi, Edi Rama

Kryeministri Edi Rama do ti drejtohet ditës së sotme Gjykatës Kushtetuese, lidhur me refuzimin e Presidentit Ilir Meta, për të dekretuar Sandër Lleshin, si ministër të Brendshëm.

Kështu gjatë një interviste televizive, Rama tha se “Refuzimin e dekretimit të Sandër Lleshit do ta depozitojmë të hënën në Kushtetuese. Kur të krijohet Kushtetuesja në pranverë do të marrë vendimin e saj për të sqaruar Presidentët e ardhshëm”.

Kësisoj përveç informacionit që do i dërgojë gjatë së hënës Presidentit, për ta bindur që Sandër Lleshin ta dekretojë ministër, do të bëhet edhe kërkesa në Gjykatë.

Kjo kërkesë ka në thelb interpretimin e Kushtetutës, në mënyrë që të shmangen situata të tjera me Presidentët në vijim.

Presidenti Ilir Meta, nuk e dekretoi Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm, pas dorëheqjes së Fatmir Xhafaj, duke bërë që Rama me vendim qeverie ta emërojë zv.ministër me kompetenca ministri.

Në argumentimin e tij Meta tha se nuk kishte krijuar bindjen e plotë, për dekretimin e Lleshit si ministër.

Mirëpo Kryeministri Rama këtë të premte e ridërgoi sërish emrin e Lleshit për dekretim dhe brenda shtatë ditësh Presidenti duhet të shprehet. /a.y/noa.al