Transmetuar më 11-11-2018, 12:18

“Dosja ‘339’ ka faktuar përtej çdo dyshimi se Vangjush Dako, në bashkëpunim me bandën e Avdylajve ka kryer krimin elektoral të blerjes së votave në qarkun e Durrësit”.

Është kjo deklarata e bërë ditën e sotme nga deputeti demokrat Ervin Salianji.

Ai thotë se përgjimet e dosjes ‘339’, një prej të cilave daton në shkurt 2017, provuan se Vangjush Dako ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me trafikantët ndërkombëtarë të drogës para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, duke i shkëmbyer me pasuri, pushtet dhe favore votat e blera prej tyre për pushtetin ilegjitim të Edi Ramës.

Sipas tij, dosja ‘339’, që çon në burg Vangjush Dakon, faktoi se nga marrëveshja me krimin, Edi Rama përfitoi vota; bëri presion kriminal mbi votuesit; Krijoi pabarazi mes kandidatëve; Lejoi praninë e kriminelëve në Qendrat e Votimit; Përdori para të pista në zgjedhje.

Po ashtu deputeti demokrat tha se dosja ‘339’ nxori para shqiptarëve mënyrat sesi krimi përfiton nga marrëveshja me pushtetin e Edi Ramës, në ketë rast nga lidhja direkte me Vangjush Dakon.

Duke u angazhuar më zgjedhje, ai tha se krimi përfiton vijimin e aktivitetit kriminal të pashqetësuar nga shteti dhe se kjo gjë provohet, kur një anëtar i bandës i kërkon Vangjush Dakos të ndërhyjë për të larguar FNSH-në.

Po ashtu përmendi se krimi mundëson fuqizimin e mëtejshëm ekonomik, si pasojë e marrjes së punëve e shërbimeve publike, siç ka ndodhur në Durrës, favore në zyrat e shtetit, leje e licenca publike, regjistrime pronash të paluajtshme, njësoj siç ka ndodhur në Durrës.

“Faktet e krimit elektoral të Vangjush Dakos janë të qarta dhe për këtë krim ai duhet të jetë në burg! Vangjush Dako duhet të arrestohet pa vonesë. Çdo ditë në liri ai shkatërron prova dhe manipulon dëshmitarët, i ndihmuar plotësisht nga Edi Rama”, tha ndër të tjera Salianji.

Ai e mbylli fjalën duke thënë se në Shqipëri nuk ka për të patur as drejtësi, as luftë kundër krimit dhe asnjë zhvillim normal pa u ndëshkuar krimi elektoral që mban në pushtet qeverinë ilegjitime të Edi Ramës. /a.y/noa.al