Transmetuar më 10-11-2018, 14:22

Një ditë pasi Kryeministri Rama dërgoi sërish për dekret emrin e Sandër Lleshit për ministër të Brendshëm, ka reaguar presidenca.

Permes nje deklarate per mediat, zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi bën me dije se “Presidenti i Republikës Ilir Meta ka nisur procesin e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse për të marrë përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese ndaj të gjitha çështjeve për të cilat Presidenti nuk mundi të sqarohej herën e parë, pavarësisht nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për bashkëpunim”.

Ai sqaron se kreu i shtetit do të informojë edhe kreun e Kuvendit mbi kërkesat e tij.

“Lidhur me këtë proces të ri, Presidenti ka vendosur të informojë mbi kërkesat e tij edhe Kryetarin e Kuvendit, pasi procedura e emërimit të një ministri është proces bashkëpunimi i detyrueshëm e kushtetues midis tre institucioneve (Kryeministri, Presidenti, Kuvendi)”, thuhet në deklaratë.

“Presidenti Meta është i vendosur të përmbushë përgjegjësitë e tij kushtetuese me rigorozitet dhe brenda afateve kushtetuese, vetëm në interes të respektimit të Kushtetutës dhe forcimit të sigurisë kombëtare ku Ministria e Brendshme ka një rol kyç, mbyllet sqarimi. /k.k/noa.al/