Transmetuar më 10-11-2018, 11:00

Banorët e Unazës së Re kanë bllokuar sërish sot aksin rrugor të njohur si “Astiri” në Tiranë. Banorët nuk kanë lejuar kalimin e automjeteve në të dy akset e Unazës së Madhe, duke bërë thirrje për një dëmshpërblim të plotë të banesave që preken nga projekti unazës.

Gjatë kësaj proteste ka patur dhe konfrontime fizike mes drejtuesve të automjeteve dhe banorët.Madje nga kjo protestë është goditur kameramani i një media private.

Ai ka qenë duke filmuar protestën, ndërkohë që është goditur me grusht nga drejtuesi i një automjeti tip “Benz”. Në protestë kanë marrë pjesë dhe deputeti i PD-së, Klevis Balliu dhe disa përfaqësues të Partisë Demokratike.

“Edi Rama të na kërkojë falje për këtë projekt korruptiv që ka bërë këtu. Të ne do e mbrojmë pronën me çdo kusht”, kanë bërë thirrje banorët.

Protestuesit bllokuan rrugën sot në orën 10:00, ndërsa nuk do të lejojnë qarkullimin e mjeteve. Kujtojmë se dje për disa orë banorët e kësaj zone bllokuan të dyja anët e Unazës së Re, ndërsa protestuan me pankarta në duar. Bashkë me ta kanë qenë edhe disa deputetë të PD-së, madje edhe kryedemorkati Lulzim Basha.