Transmetuar më 09-11-2018, 20:56

Janë 11 persona të cilët janë proceduar nga policia shqiptare pas ngjarjeve të djeshme në Bularat të Gjirokastrës.

Policia thotë se ata bënë thirrje raciste dhe bllokuan rrugën nacionale.

Në përfundim të veprimeve të kryera nga Drejtoria e Antiterrorit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër dhe ndiqen në gjendje të lirë shtetasit:

– Th.P., banues në Patra;

– Th.A., banues në Athinë;

– K.G., banues në Athinë;

– A.P., banues në Igumenicë;

– Th.P., banues në Piurgu Ilias, Peloponez;

– D.K., banues në Igumenicë;

– P.P., banues në Igumenicë;

– M.D., banues në Igumenicë;

– Ch.K., banues në Athinë;

– Th.S., banues në Livadhja, Sarandë;

– A.P., banues në Prevezë.

Këta shtetas gjatë ceremonisë mortore të shtetasit K.K., në fshatin Bularat, Bashkia Dropull, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë kanë bërë thirrje për urrejtje dhe përdorim të dhunës ndaj popullsisë shqiptare, e kënduar në kor nga pjesëmarrësit në gjuhën greke, si dhe thirrje të tjera raciste duke nxitur urrejtje dhe grindje midis popullsisë, sqaron policia.

Në cilësinë e provës materiale këtyre shtetasve u janë gjetur dhe sekuestruar: maskë ngjyrë e zezë; flakadanë; flamuj me mbishkrimin “Vorio Epiri”; A.H 1914; bluza me mbishkrimin Vorio Epiri AH1914, “Ethniko Metepo”, “Misos” dhe 2 aparate celularë.

Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar.