Transmetuar më 09-11-2018, 11:12

Kryeministri Edi Rama i përgjigjet deklaratës së opozitës greke dhe asaj shqiptare, lidhur me funeralin e Konstandinos Kacifas në Bularat, ku pati thirrje antishqiptare dhe më tej u bllokua aksi rrugor Gjirokastër-Kakavijë.

Ai mohon të ketë pranuar përdhosjen e vendit, nëpërmjet një reagimi ironik.

“Sipas kokave të përndezura të politikës greke e kazanëve të atjeshëm, dje i paskam hedhur benzinë zjarrit, ndërsa sipas Kadrinjve tanë politikë e mediatikë paskam pranuar në heshtje përdhosjen e vendit! S’ka më mirë se sa i sulmuar nga dy palë qirie Kadrinj që s’i duhen dreqit”, shkruan Rama.

Më herët Demokracia e Re, partia më e madhe opozitare në Greqi, reagoi lidhur me deklaratat e Kryeministrit Edi Erama, pas funeralit të minoritarit grek, Konstandinos Kacifas.

“Deklarata të papranueshme dhe provokative. I hedhin benzinë zjarrit. Qeveria greke hesht dhe në këtë mënyre e inkurajon”, thuhet në deklaratën e partisë opozitare greke.

Kjo pasi një ditë më parë, duke komentuar thirrjet antishqiptare gjatë funeralit në Bularat, Rama tha se shteti ynë nuk lufton as me arkmorte dhe as me provokatorë varrimesh.

“Kush erdhi për të provokuar, hyri, turpëroi veten e flamurin e tij dhe iku. Patriotizmi nuk është të urresh tjetrin e gjuhen e tij, po të duash vendin e gjuhen tende”, u shpreh Rama.

35-vjeçari Kacifas mbeti i vrarë nga RENEA më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës, gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.

Fillimisht Kacifas qëlloi me armë zjarri ndaj policisë, ndërsa më tej kur uniformat blu u vunë në ndjekje, ai nuk i ndali të shtënat drejt mjeteve të policisë.

Kështu pas disa orësh ndjekje, 35-vjeçari u rrethua, por edhe nga aty nuk i ndali të shtënat. Kjo bëri që gjatë shkëmbimit të zjarrit të mbetet i vrarë, duke refuzuar që të dorëzohet, sipas versionit të policisë shqiptare. /a.y/noa.al

“Kacifas”, opozita greke i përgjigjet Ramës: I hedh benzinë zjarrit

Varrimi i Kacifas! Rama: Refuzoj shprehjen “na erdhi greku”, nuk e kemi armik

“Bularati”, Rama: Greku, popull mik por ka dhe gomerët e vet

Varrimi i Kacifas! Qytetari: U flliqëm si shtet, ja çfarë përgjigjeje i jep kryeministri Rama