Transmetuar më 09-11-2018, 10:31

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, reagon lidhur me thirrjet antishqiptare në Bularat të Gjirokastrës, gjatë ceremonisë së varrimit të minoritarit Konstandinos Kacifas.

Nëpërmjet një citimi ai jep një mesazh për politikanët por edhe për gjithë ata shqiptarë që kërkuan një reagim të ashpër.

“Benjamin Disraeli na la një këshillë për të gjitha kohët: ‘rrethanat janë përtej kontrollit njerëzor, por sjellja jonë është në fuqinë tonë’. Si politikanë ne gjykojmë vetëm nga veprimet tona për të përzënë dhe për të zbutur rrethanat”, shkruan Bushati.

Krahas familjarëve dhe të afërmve, në Bularat për të përcjellë për në banesën e fundit Kacifas gjatë ditës së djeshme, mbërritën me qindra shtetas grekë, të cilët nuk kursyen fjalët fyese dhe thirrjet antishqiptare.

35-vjeçari Kacifas mbeti i vrarë nga RENEA më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës, gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.

Fillimisht Kacifas qëlloi me armë zjarri ndaj policisë, ndërsa më tej kur uniformat blu u vunë në ndjekje, ai nuk i ndali të shtënat drejt mjeteve të policisë.

Kështu pas disa orësh ndjekje, 35-vjeçari u rrethua, por edhe nga aty nuk i ndali të shtënat. Kjo bëri që gjatë shkëmbimit të zjarrit të mbetet i vrarë, duke refuzuar që të dorëzohet, sipas versionit të policisë shqiptare. /a.y/noa.al