Transmetuar më 09-11-2018, 09:57
Ilir Meta, Sander Lleshi, Edi Rama

Presidenti Ilir Meta thotë se dekretimi nuk është një akt formal. Është kjo mënyra me të cilën ju përgjigj interesit të gazetarëve, lidhur me mos dekretimin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm.

“Pa dashur të jap leksione për Kushtetutën, të gjithë amatorëve dhe dilentantëve të njëanshëm i ftoj të lexojnë Kushtetutën dhe kompetencat e Presidentit. Një akt formal apo ceremonial është vetëm betimi tek Presidenti. Të gjithë ata që mendojnë se dekretimi nuk është një akt substancial por formal dhe se Presidenti ka detyrë të firmosë një propozim, kam një pyetje tjetër. A mundet Parlamenti të rrëzojë dekretin e Presidentit për një ministër? Sepse dhe kjo nuk është shprehur në mënyrë eksplicite në Kushtetutë”, u shpreh Meta.

Ai kërkoi që të lihet të bëj detyrën me përgjegjshmëri të plotë.

I pyetur nëse është i gatshëm të shpjegojë mos dekretimin në Parlament, ai tha se "Unë jam mjaft i lidhur dhe i zgjedhur nga Parlamenti".

Kujtojmë se Presidenti Ilir Meta, nuk e dekretoi Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm, pas dorëheqjes së Fatmir Xhafaj, duke bërë që Rama me vendim qeverie ta emërojë zv.ministër me kompetenca ministri.

Në argumentimin e tij Meta tha se nuk ka krijuar bindjen e plotë, për dekretimin e Lleshit si ministër.

Mirëpo Kryeministri Rama ka bërë me dije se do e dërgojë sërish emrin e Lleshit për dekretim dhe se do i lihen shtatë ditë kohë kreut të shtetit. /a.y/noa.al