Transmetuar më 09-11-2018, 08:50
Edison Harizaj, Genci Caci

Ekzekutimi mafioz i të paprekshmit të Vlorës, Edison Harizaj, nuk ka asnjë person të dyshuar. 39-vjeçarit dje ju dha lamtumira e fundit në Vlorë, ndërkohë që ceremonia e varrimit është shoqëruar me masa të forta sigurie, të ndërmarra nga vetë shoqëria e viktimës në kompleksin “Oslo” në Vlorë.

Prej 48 orësh policia e Durrësit dhe ajo e Vlorës nuk kanë qenë në gjendje të ngrenë dyshime, qoftë dhe mbi njërin nga autorët e këtij krimi që tronditi Durrësin.

Momentalisht në dosjen e prokurorisë janë vetëm gëzhojat e sekuestruara në vendngjarje dhe skeletet e dy makinave, një të djegur që autorët braktisën dhe makina e bërë shoshë nga plumbat, me të cilën udhëtonte Edison Harizaj dhe shoku i tij, Genci Caci.

Burime pranë policisë së Durrësit thanë se hetimi i kësaj ngjarje është tepër i vështirë, pasi në ngjarje të tilla askush nuk është i gatshëm të flasë e të bashkëpunojë, por edhe për shkak se viktima, ishte një person problematik dhe me hesape të hapura me shumë persona. Për më tepër Harizaj është dënuar me 19 vite burg nga gjykata e Vlorës, për akuzën e vrasjes në Vlorë të shtetasit Erjon Ahmeti dhe plagosjen rëndë të dy shokëve të tij Ferdinand Deda dhe Neritan Rama.

Gjykata e liroi të edukohet profesionalisht

Nga verifikimet e kryera nga “Shqiptarja.com” rezulton se Harizaj i dyshuar për një seri krimesh në Vlorë, dhe i përmendur së fundi në dëshminë e një të penduari në Vlorë, e ka kryer dënimin me 19 vite burgim, duke dalë nga qelia në datën 23 korrik 2010.

Vendimin për dënimin e tij e ka dhënë gjyqtarja e Krujës, Alma Hoxha, e cila dyshohet se përmes një pagesë prej 9.5 milionë lekë të vjetra ka urdhëruar lirimin e Harizaj nga qelia, duke i falur dënimin e mbetur prej 1 vit e 8 muaj e 22 ditë burgim, të fortit të Vlorës.

Sipas vendimit gjykatësja urdhëronte në 2010 që këtë dënim të mbetur Harizaj, duhet ta kryente në shtëpi, dhe të mbante kontakte të vazhdueshme me shërbimin e provës në Vlorë. Si për ironi, në një ndër pikat e këtij vendimi gjykatësja Alma Hoxha në korrik 2010, urdhëronte që Edison Harizaj detyrohej që gjatë kësaj kohe të ushtronte një veprimtari profesionale ose të marrë një arsim apo formim profesional, si dhe të mos shoqërohet me persona të caktuar, kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorët e veprës penale.

Si u lirua Harizaj pas pagesës 9.5 miilonë lekë

Edison Harizaj vuante dënimin e tij në burgun e Fushë-Krujës, ndërkohë që herë pas here kishte kërkuar në gjykatë ulje të dënimit 19 vjet burg dhe ndryshimit të sistemit të vuajtjes së dënimit nga “siguri e lartë” në “siguri e zakonshme”. Mbi mënyrën e lirimit të tij dhe faljes së 1.9 vite burgim, në vitin 2009 prokuroria e Tiranës ka hapur një dosje penale që mban numrin 4074 për akuzën e korrupsionit, ku ka pasur disa të arrestuar në këktë çështje, mes tyre dhe Edison Harizaj, që në atë kohë u akuzua për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, si gjyqtari.

Në datën 26 korrik 2011 u është regjistruar emri si persona që u atribuohet vepra penale të pandehurve Adriana Xeba, Flutura Meço, Almir Meço, Edmond Kalaja dhe Edison Harizaj. Me vendime të ndryshme të Gjykatës Tiranë, është lejuar përgjimi i bisedave telefonike të disa numrave telefonike në përdorim të pandehurve. Gjithashtu është lejuar përgjimi i fshehtë fotografik, filmik ose me video në vende publike i veprimeve të këtyre të pandehurve.

Pretendohet se të pandehurit Almir Meço me detyrë avokat i të dënuarit Edison Harizaj si dhe e pandehura Flutura Meco bashkëshortja e të pandehurit Almir Meço me detyrë kancelare pranë Gjykatës Krujë kanë marrë para nga persona të dënuar për pranimin e kërkesave të tyre në Gjykatën Krujë duke ndikuar pranë gjyqtares së çështjes Alma Hoxha. Sipas organit të akuzës dy të pandehurit, bashkëshortë me njëri-tjetrin, kanë marrë para nga i dënuari Edison Harizaj dhe familjarët e tij për të ndikuar tek gjyqtarja e çështjes Alma Hoxha për lirimin e të dënuarit. Sipas organit të akuzës i pandehuri Almir Meço i ka marrë 9.5 milionë lekë të vjetra nga i dënuari Edison Harizaj dhe familjarët e tij. Këto para janë mbajtur nga shtetasja Adriana Xeba deri në fillim të muajit Korrik. Pas këtij momenti i pandehuri Almir ka hyrë në lidhje të drejtpërdrejtë me të dënuarin Edison Harizaj dhe të afërm të tij. Sipas hetimit të prokurorisë së Tiranës i pandehuri Almir Meço ka insistuar që shuma e parave të merrej e gjitha para dhënies së vendimit më datë 23 korrik 2010. Në bazë të këtij vendimi Gjykata Krujë ka vendosur pranimin e kërkesës së bërë nga i dënuari Edison Harizaj me objekt qëndrim në shtëpi.

Sipas këtij vendimi vuajtje e dënimit të mbetur prej 1 vit 8 muaj 22 ditë burgim të dhënë me vendimin nr. 71, datë 03.03.2004 të Gjykatës Vlorë duhet të bëhet duke qëndruar në shtëpi. Mirëpo sipas prokurorisë së Tiranës që ka hetuar çështjen Edmond Kalaja ka marrë 950.000 lekë nga shtetasi Fatmir Harizaj, i cili është babai i të dënuarit Edison Harizaj që donte të përfitonte nga një vendim gjyqësor që do jepte Gjykata e Krujës në lidhje me këtë të dënuar.

Nga këto para 400.000 janë dërguar në Shkodër tek familjarë të Admir Tafilit ndërsa pjesa tjetër prej 550.000 lekësh i është dhënë shtetases Adriana Xeba për t’i dhënë tek të pandehurit Almir dhe Flutura Meço. Sipas organit të akuzës lokali i tij ka qenë si një lloj “agjencie” ku silleshin para të personave të dënuar për t’iu dhënë më pas personave që merrnin përsipër të “kryenin punë”.

Dy të vrarë në atentatin në Durrës, dyshimet nga u porosit ekzekutimi dhe roli i të zhdukurit

Atentati me dy të vrarë në Durrës, dyshohet se Harizaj u nxor në pritë

Viktima e atentatit në Durrës, dëshmia që e implikon në zhdukjen e të riut në Vlorë