Transmetuar më 08-11-2018, 20:22

Me pretendimin se është përfituar përmes skemave të mashtrimit, Prokuroria e Beratit ka vendosur  në sekuestro preventive mbi 740 hektarë sipërfaqe pyjore dhe kullote.

Kjo sipërfaqe gjendet në Melovë të Skraparit.

Organi i akuzës sqaron përmes një njoftimi për mediat se do të vijojë me identifikimin e personave përkatës zyrtarë të ZVRPP Skrapar që kanë hartuar dhe nënshkruar dokumentin përkatës, si edhe përgjegjësinë e tyre penale.

NJOFTIMI I PLOTË

Prokurorise se Beratit iu pranua kerkesa nga gjykata Berat per caktimin e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi 740 hektarë sipërfaqe pyjore dhe kullote në Melovë të Skraparit.

Ligji nr. 9235 date 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, ka qenë ligji i zbatushëm në periudhën e mësipërme, i cili në nenin 22 të tij kishte të parashikuar procedurën e kthimit dhe kompensimit të pronave, ndërsa dokumentacioni i sipërmendur i përgatitur dhe paraqitur nga subjektet për vërtetimin e pronësisë është bazuar në ligjin dhe aktet nënligjore të shfuqizuara në momentin e paraqitjes dhe përgatitjes së tyre.

Palët, të cilëve u është njohur e drejta e kësaj sipërfaqe toke, i janë drejtuar Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila pasi ka shqyrtuar dosjen nr.99 datë 24.12.2008 me vendimin nr.7 datë 11.01.2013 ka vendosur “Rrëzimin e kërkesës së subjektit Kastriot Guri; “Mosnjohjen e së drejtës në emër të subjektit Bari Guri për sipërfaqen pyll dhe kullotë me sipërfaqe 740 hektar në fshatin Melovë, Skrapar”.

Prokuroria do të vijojë me identifikimin e personave përkatës zyrtarë të ZVRPP Skrapar që kanë hartuar dhe nënshkruar dokumentin me nr. 221 Prot., datë 10.02.2015, si edhe përgjegjësinë e tyre penale.

Duke qenë se, aktualisht, sipas statusit juridik të pasurisë prej 740 ha, rezulton se kjo sasi pasurie (ka marrë numrat 305-312 zk.2645 fshati Melovë) është në pronësi të trashgimtarëve të subjekteve Bari Guri, Seit Hebibasi, Nuri Kalemasi dhe është përfituar në sajë të mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës së zyrtarëve publikë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, vlerësoi se duhet të kërkonte nga gjykata sekuestron preventive të pasurisë prej 740 ha, me qëllim që disponimi i kësaj pasurie të mos zgjatë pasojat e veprave penale të cituara më sipër apo t’i rëndojë ato, si edhe të shmangë çdo transaksion apo tjetërsim mbi to, çka do të shkaktonte kryerjen e veprave penale të tjera.