Transmetuar më 08-11-2018, 12:42

Kreu i Partisë për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule ishte sot në Bularat të Gjirokastrës, ku për pak minuta pritet të mbahet funerali i minoritarit grek, Konstandinos Kacifas.

Duke folur për mediat ai tha se momentet e varrimit janë të shenjta dhe se ndau dhimbjen, me vajzën dhe prindërit e Konstandinit por edhe me komunitetin e Bularatit.

“Jemi për të shprehur nderimin ndaj të ndjerit por edhe vendosmërinë që e vërteta duhet të ndriçohet deri në fund. Zbardhja e kësaj çështje është me rëndësi ajo mund të vonojë por nuk do të humbasë”, u shpreh Dule.

Sakaq në Bularat të Gjirokastrës kanë mbërritur me qindra shtetas grekë, për të marrë pjesë në funeral. Me flamurin e Vorio-Epirit mbi supe, ata kanë bërë thirrje në nderim të të ndjerit.

“Konstandinos ti jeton”, “Konstandinos je heroi ynë” dhe “Kacifas ti na drejton”, “Vorio-Epiri është grek”, “Maqedonia është Greqi”, kanë thirrur disa nga shtetasit grek të cilët kanë mbërritur në Bularat të Gjirokastrës.

Por krahas tyre në Bularat ka mbërritur edhe eurodeputetja greke, Eleni Theocharous.

Në fjalën e saj për mediat, ajo tha shkurt se, “Jemi përballë një dhunimi të madh të të drejtave njerëzore të komunitetit grek të zonës. Ngjarjen e konsideroj vrasje.  Mund të arrestohej, por u vra. Ndaj dua që njerëzit që ndodhen në Bruksel të dëgjojnë zërin e të ëmës së Kacifas”.

Sipas saj, burgosja që mund ti bëhej viktimës, nuk ka të krahasuar me dhunimin e të drejtave të njeriut.

Sakaq familjarët e minoritarit të vrarë, nuk lejojnë mediat shqiptare që të afrohen, duke u prononcuar vetëm për ato greke.

Kacifas do të përcillet për në banesën e fundit, në orën 13.00 të ditës së sotme, ndërsa shpenzimet për funeralin e tij janë marrë përsipër nga bashkia e Dropullit.

35-vjeçari Kacifas mbeti i vrarë nga RENEA më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës, gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.

Fillimisht Kacifas qëlloi me armë zjarri ndaj policisë, ndërsa më tej kur uniformat blu u vunë në ndjekje, ai nuk i ndali të shtënat drejt mjeteve të policisë.

Kështu pas disa orësh ndjekje, 35-vjeçari u rrethua, por edhe nga aty nuk i ndali të shtënat. Kjo bëri që gjatë shkëmbimit të zjarrit të mbetet i vrarë, duke refuzuar që të dorëzohet, sipas versionit të policisë shqiptare. /a.y/noa.al

Grekët mbërrijnë në Bularat: Kacifas je heroi ynë! Eurodeputetja: Vrasje, dhunim i madh

I mbuluar me flamurin grek, pamjet e rënda nga trupi i pajetë i Kacifas

Funerali i Kacifas, Janullatos: Të varroset sipas traditës fetare