Transmetuar më 08-11-2018, 12:09

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, del me deklaratë lidhur me ndryshimin në ministrinë e Brendshme, pasi Sandër Lleshi u emërua zëvendës ministër me kompetenca ministri.

Kjo ambasadë thotë se një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme.

“Përgjatë muajve të fundit, jemi inkurajuar nga përparimi që kemi parë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri- rezultat i drejtpërdrejtë i punës së bërë nga autoritetet shqiptare, veçanërisht oficerëve të policisë dhe prokurorëve, të cilët luftojnë për drejtësi të vërtetë për të gjithë shqiptarët. Ka ende punë për të bërë dhe presim që këto përpjekje jo vetëm të vazhdojnë, por edhe të shtohen”, thuhet në deklaratë.

Më tej shtohet se Qeveria e SHBA qëndron e gatshme për të punuar me partnerët tanë shqiptarë.

“Ne do të ofrojmë asistencë kudo që të jetë e mundur për të ndihmuar mposhtjen e krimit të organizuar e korrupsionit, për të vazhduar përparimin e reformës në drejtësi, dhe për të siguruar sundimin e ligjit për popullin shqiptar”, deklarohet në mbyllje të qëndrimit.

Kujtojmë se Presidenti Ilir Meta, nuk e dekretoi, Sandër Lleshi si ministër të Brendshëm, pas dorëheqjes së Fatmir Xhafaj, duke bërë që Rama me vendim qeverie ta emërojë zv.ministër me kompetenca ministri.

Në argumentimin e tij Meta tha se nuk ka krijuar bindjen e plotë, për dekretimin e Lleshit si ministër. /a.y/noa.al