Transmetuar më 07-11-2018, 20:56

Kjo e mërkurë shënon ditën e pestë radhazi të protestës së banorëve të zonës së “Astirit” në Tiranë, ku dhjetëra qytetarë kanë dalë në rrugë për të mbrojtur shtëpitë e tyre, shumë prej të cilave kërkohen të prishen për shkak të punimeve për Unazën e Madhe të kryeqytetit.

Një djalë i vogël në moshë, i quajtur Klevis Hyska, i cili thotë se është këngëtar, ka rrëmbyer mikrofonin dhe i përlotur është betuar se do ta mbrojë me gjak shtëpinë e tij.

“Unë jam Klevis Hyska, këngëtar, disa me njihni. Dua ti bëj thirrje zotit kryeministër Edi Rama dhe kryetarit të bashkisë Erion Veliaj.

Deri dje, unë për z. Erion Veliaj dhe z. kryeministrin nuk mbahet mend sesa koncerte kam kënduar, sa koncerte, kam lodhur zërin tim për të gjithë ato koka të mëdhaja shteti. Dhe ato të ma shpërblejnë ashtu! Kurrë! Poshtë! Poshtë! Do ta mbroj me gjak atë shtëpi, prindërit e mi e kanë bërë me djersë. Nuk janë lekë droge, janë lekë djerse. Poshtë oligarkët, poshtë hajdutët.”-u shpreh djali i prekur për kameran e Fax News.