Transmetuar më 07-11-2018, 16:18

Vetëm një ditë pasi ka marrë detyrën e zëvendës ministrit të Brendshëm me kompetencat e titullarit, Gjeneral Sandër Lleshi ka zbuluar karakterin e tij prej ushtaraku me urdhrin e parë për të gjithë vartësit e tij.

Burime zyrtare bëjnë me dije se Lleshi ka nxjerre një urdhër të brendshëm që ndalon rreptësisht gjatë ditëve të punës frekuentimi i kafeneve, restoranteve, njësive tregtare e çfarëdo mjedisi publik jashtë vendndodhjes për arsye pune nga punonjësit e ministrisë së Brendshme (përveçse për raste festash apo fatkeqësisht familjare dhe vetëm me lejen e eprorit).

Mësohet se të njëjtën gjë i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për uniformat blu.

Një ditë më parë ka qenë vetë kryeministri Rama që ka shoqëruar personalisht Sandër Lleshin në godinën e ministrisë së Brendshme, ku mori detyrën e zëvendës ministrit me kompetenca ministri.

Ata mbërritën rreth orës 12.36 minuta në ministri, ku Lleshi u prezantua me stafin e tij, ku dhe mori detyrën nga paraardhësi Fatmir Xhafaj.

Gjithçka erdhi pasi në seancën e djeshme parlamentare, Kuvendi votoi shkarkimin e Fatmir Xhafaj si ministër i Brendshëm, me 75 vota pro./b.l/noa.al/