Transmetuar më 07-11-2018, 15:48

Një nënë e re me profesion gazetare, mama e dy vajzave ka paralajmëruar të gjithë prindërit të tregohen të kujdesshëm pasi një gabim apo pakujdesi e momentit mund të jetë fatale për fëmijët e tyre.

Gjithçka nisi qershorin e shkuar kur vajza e Gemma Fraser, mamasë 35-vjeçare nga qyteti skocez i Edinburgh-ut, Orla, po luante në dhomën e saj dhe mamaja e re dëgjoi të qarat dhe ulërimat e pafund.

Fillimisht mendoi se ajo ishte alergjike ndaj materialit të ndonjë lodre, por vajza vazhdonte të qante në mënyrë të pakontrolluar edhe kur mamaja e largoi prej aty. Gemma vendosi t’i hiqte rrobat dhe u shokua kur vuri re se një tufë nga flokët e saj biondë ishin rrotulluar rreth gishtave të vegjël të vogëlushes Orla, duke ndërprerë qarkullimin e gjakut dhe duke i lënë të fryrë dhe të skuqur.

Gishtat ishin skuqur dhe fryrë aq shumë, ajo s’e dinte sa kohë kishte vajza që vuante nga diçka e tillë dhe tentoi t’ia hiqte vetë, por dhimbja ishte e tmerrshme. Lajmëroi menjëherë mjekun e familjes, të cilit iu deshën rreth 35 minuta të hiqte pjesën më të madhe, ndërsa vajza nuk pushonte së qari. Pastaj iu drejtuan spitalit ku doktorët u siguruan të hiqnin të gjitha qimet dhe i dhanë mjekimet që duhet të merrnin.

Sipas “The Independent”, u deshën 5 javë trajtime intensive dhe 1 ndërhyrje kirurgjikale që Orla të mund të shërohej plotësisht. Sipas mjekëve të “Royal Hospital for Sick Children”, Orla vuante nga sindromi Tourniquet, e cila prek fëmijët sidomos në periudhën kur mamatë e tyre humbasin flokët  pas shtatzënisë.

Ata këshillojnë mamatë që t’i mbajnë flokët e shkurtra ose të lidhura ndërkohë që fëmijët e tyre janë ende shumë të vegjël./b.l/noa.al/