Transmetuar më 07-11-2018, 15:31

Presidenti shqiptar Ilir Meta është takuar me presidentin italian Sergio Mattarella në komunën arbëreshe Shën Mitri në rajonin e Kalabrisë.

Së bashku ata kanë marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 550 vjetorit të vdekjës së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, e cila u zhvillua në kolegjin e njohur arbëresh ‘Shën Adriano’ ku kanë studiuar figurat më të larta të letërsisë e patriotizmit shqiptaro-arbëreshë.

Të dy krerët e shteteve, pas ceremonisë solemne, zhvilluan një takim kokë më kokë, ku biseduan për lidhjet e vjetra historike dhe të miqësisë, mbi partneritetin strategjik si dhe thellimin e bashkëunimit të gjithanshëm mes dy vendeve dhe popujve tanë, dhe më pas iu drejtuan të pranishmëve në sallën e teatrit të Kolegjit.

Në fjalën e tij, Presidenti Meta, me të tjerash theksoi se Shën Mitër Korona dhe Kolegji i “Shën Adrianit” është djepi i arsimit dhe kulturës arbëreshë, ku ka dhënë mësim De Rada, dhe njëri prej studentëve ka qenë Luigj Gurakuqi, figura frymëzues dhe kontribuuese të Rilindjes sonë Komëbtare dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

“Edhe pse larg mëmëdheut të tyre, komuniteti arbëresh krijoi dhe mbajti gjallë identitetin e vet kombëtar, i cili edhe sot pas 550 vitesh ruan me dashuri e fanatizëm gjuhën, kostumet, ritet, traditat dhe besimin. Ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar të arbëreshëve është një simbiozë unikale me integrimin e plotë të tyre me kulturën dhe shoqërinë italiane.” – vuri në dukje Presidenti Meta.

Më tej ai shtoi se, “Ne u jemi mirënjohës pafundësisht arbëreshëve për kontributin e çmuar që kanë dhënë për kombin tonë: përjetësimin e figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut ndër shekuj. Skënderbeu na bashkon të gjithëve ne shqiptarëve kudo në botë! Prandaj ne u jemi mirënjohës motrave dhe vëllezërve tanë arbëreshë që e ruajtën këtë figurë të lavdishme dhe bëmat e tij”.

Presidenti Meta dhe Presidenti italian Mattarella përuruan pllakatën kushtuar Heroit tonë Kombëtar, në të cilën janë gdhendur fjalët: “në 550-vjetorin e përkujtimit të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut.”/b.l/noa.al/