Transmetuar më 07-11-2018, 11:00

Kryeministri Edi Rama, emëroi ditën e djeshme Sandër Lleshaj, si zëvendës ministër të Brendshëm, me kompetenca ministri, për shkak se Presidenti Ilir Meta, refuzoi dekretimin e tij.

Por ditën e sotme, në faqen zyrtare të qeverisë, Lleshaj renditet krahë ministrave të tjerë, ku ashtu si ata, i është bashkëngjitur dhe jetëshkrimi, duke e bërë "de facto" ministër me kompetenca të plota.

Sakaq në seancën parlamentare të kësaj të marte ku u bë votimi për shkarkimin e Fatmir Xhafaj si ministër, Kryeministri Edi Rama tha se që kur hyri në Presidencë, pasi mbushi rrugët e Shqipërisë me flamujt e LSI, Ilir Meta e ka respektuar votën e kësaj mazhorance, ka respektuar Kushtetutën, ka peshuar fjalën dhe ka barazpeshuar çdo gjë.

“Por qysh prej të shtunës mbrëma ne kemi një problem me Presidentin e Republikës, ose më saktë një pengesë në rrugën tonë qeverisëse. Ne kemi detyrën kushtetuese ta bëjmë këtë punë, pavarësisht pengesave. Le të hidhen përpjetë kundër nesh po të duan, por askush tjetër përveç popullit sovran as e ka dhe as e merr dot të drejtën e ushtrimit të mandatit tonë kushtetues, kjo vlen edhe për Presidentin e Republikës”, u shpreh Rama.

Sipas tij, Kushtetuta e ka të shkruara të zezë mbi të bardhë 12 kompetencat e Presidentit dhe në to nuk rezulton të refuzojë kryeministrin apo të ministrave.

Ai shtoi se nuk i ka çuar Presidentit një kandidat për ministër, por dekretin për ministër dhe se Presidenti nuk ka nevojë ta refuzojë, por se ka detyrën që ta miratojë.

Po ashtu tha se, nuk figuron gjëkundi kompetenca e refuzimit prej Presidentit, të ministrave që gëzojnë besimin e Kryeministrit.

Kjo pasi Presidenti Ilir Meta, nuk e dekretoi, Sandër Lleshaj si ministër të Brendshëm, duke bërë që Rama me vendim qeverie ta emërojë zv.ministër me kompetenca ministri.

Në argumentimin e tij Meta tha se nuk ka krijuar bindjen e plotë, për dekretimin e Lleshaj si ministër.

Jetëshkrimi i Sandër Lleshaj

Zoti Sandër Lleshaj lindi në 25 Janar të vitit 1963. Është i martuar me zonjën Violeta Lleshaj, me profesion mësuese. Ata janë prindër të dy fëmijëve, Dorotea dhe Anton.

Lleshaj është diplomuar në vitin 1985 në Shkollën e Lartë të Oficerëve në Tiranë në degën e Radiolokacionit. Në vitin 1996 ka përfunduar arsimimin për drejtues njësie në mbrojtjen kundërajrore në Gjermani. Në vitin 1999 ka përfunduar studimet si oficer i shtabit të përgjithshëm në Akademinë e Drejtimit në Hamburg të Gjermanisë.

Në vitin 2012 ka përfunduar studimet e doktoratës në Tiranë dhe ka marrë gradën Doktor i Shkencave.

Lleshaj ka kaluar edhe nëpërmjet një cikli të plotë kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 2011 ka kryer Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey të SHBA. Në vitin 2008 ka kryer një kualifikim të nivelit të lartë në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Gjermani. Në vitin 1994 dhe në vitin 1995 është kualifikuar për gjuhën gjermane në Austri dhe në Gjermani

Pas përfundimit të Akademisë Ushtarake në Tiranë, në vitin 1985 Sandër Lleshaj ka shërbyer në Mbrojtjen Kundërajrore në Tiranë. Në vitin 1992 është emëruar komandant i një regjimenti kundërajror. Më tej, karriera e tij ka vazhduar në Akademinë e Mbrojtjes si Komandant i Kurseve.

Në vitin 2000, me gradën Kolonel, është emëruar Komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”, detyrë që e mbajti deri në vitin 2003, kur ka filluar detyrën si Atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë. Gjatë kësaj periudhe, ka ushtruar si jo rezident, detyrën e Atasheut të Mbrojtjes të RSH në Republikën Çeke dhe në Republikën e Hungarisë.

Në vitin 2006 ai është emëruar Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Në vitin 2009 ka marrë gradën madhore Gjeneral Brigade dhe në vitin 2010 është emëruar në detyrën e Zëvendës Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Në maj të vitit 2013, është liruar nga Forcat e Armatosura dhe prej shtatorit 2013 zoti Lleshaj mbajti detyrën e Këshilltarit të Sigurisë pranë Kryeministrit të Shqipërisë. /a.y/noa.al