Transmetuar më 07-11-2018, 07:40

Ish-Presidenti Bujar Nishani deklaron se pasardhësi i tij Ilir Meta mund të ketë më shumë se një arsye që nuk dekretoi emrin e Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm.

Në një lidhje me emisionin ‘Dritare me Rudinën’ këtë të martë, Nishani kritikoi deklaratën e Ramës në Kuvend, ku tha se; “nëse është ajo arsyeja që ma ka thënë në zyrë, nuk do dëshiroja që të kisha një president qesharak”.

Sipas Nishanit kjo gjë është e papranueshme.

“Unë mesa besoj dhe sa kam arritur të kuptoj, argumentet e sotme ishin të papërshtatshëm për një kryeministër. Unë besoj se Meta ka më shumë sesa një arsye për rastin e Lleshit. Sot dëgjuam kryeministrin se deklaroi publikisht që presidenti i ka dhënë një arsye që Rama e quajti qesharake. Presidenti nuk është i detyruar që të njoftojë publikisht arsyet e tij, veçanërisht në rastet kur ne nuk e dimë se çfarë dokumentesh kanë ardhur në Presidencë nga prokuroria, apo ushtria”, deklaroi Nishani.

Sakaq në seancën parlamentare të kësaj të marte ku u bë votimi për shkarkimin e Fatmir Xhafaj si ministër, Kryeministri Edi Rama tha se që kur hyri në Presidencë, pasi mbushi rrugët e Shqipërisë me flamujt e LSI, Ilir Meta e ka respektuar votën e kësaj mazhorance, ka respektuar Kushtetutën, ka peshuar fjalën dhe ka barazpeshuar çdo gjë.

“Por qysh prej të shtunës mbrëma ne kemi një problem me Presidentin e Republikës, ose më saktë një pengesë në rrugën tonë qeverisëse. Ne kemi detyrën kushtetuese ta bëjmë këtë punë, pavarësisht pengesave. Le të hidhen përpjetë kundër nesh po të duan, por askush tjetër përveç popullit sovran as e ka dhe as e merr dot të drejtën e ushtrimit të mandatit tonë kushtetues, kjo vlen edhe për Presidentin e Republikës”, u shpreh Rama.

Sipas tij, Kushtetuta e ka të shkruara të zezë mbi të bardhë 12 kompetencat e Presidentit dhe në to nuk rezulton të refuzojë kryeministrin apo të ministrave.

Ai shtoi se nuk i ka çuar Presidentit një kandidat për ministër, por dekretin për ministër dhe se Presidenti nuk ka nevojë ta refuzojë, por se ka detyrën që ta miratojë.

Po ashtu tha se, nuk figuron gjëkundi kompetenca e refuzimit prej Presidentit, të ministrave që gëzojnë besimin e Kryeministrit.

Kjo pasi Presidenti Ilir Meta, nuk e dekretoi, Sandër Lleshi si ministër të Brendshëm, duke bërë që Rama me vendim qeverie ta emërojë zv.ministër me kompetenca ministri.

Në argumentimin e tij Meta tha se nuk ka krijuar bindjen e plotë, për dekretimin e Lleshit si ministër. /a.y/noa.al