Transmetuar më 23-10-2018, 11:28

Ka dalë sot para Gjykatës së Tiranës, për tu njohur me masën e sigurisë pronari i lokalit ku ndodhi masakra e mbrëmjes së 4 tetorit, në zonën e ish-Bllokut.

Gjykata vendosi që Redi Popesku të qëndrojë në "arrest shtëpie", në vijim të hetimeve për zbardhjen e ngjarjes.

Sakaq avokati i tij deklaroi se Popesku mban disa armë me leje dhe se dyshohet se një prej tyre mund të jetë përdorur në ngjarje, por ai deklaroi se një armë ai e ka humbur dhe për të në dijeninë e tij, i pandehuri ka bërë denoncim në polici.

Popesku u arrestua dy ditë më parë, pasi dyshohet se ka fshehur pistoletën e të plagosurit Ervis Martinaj dhe ka ndihmuar këtë të fundit të largohet nga vendngjarja.

Gjithçka pasi dyshohet se Martinaj në momentin e përplasjes me armë, ishte i armatosur. Popesku akuzohet për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë në zbardhjen e së vërtetës”.

Në lokalin në rrugën “Ibrahim Rugova” në ish-Bllok, u plagosën me armë zjarri Ervis Martinaj, 36 vjeç dhe Eljon Hato, 28 vjeç, si dhe mbeti i vrarë Fabian Gaxha, 28 vjeç.

Pak pas ngjarjes, policia bëri arrestimin në flagrancë të dy të plagosurve dhe shpalljen në kërkim tre të tjerë.

Të shpallurit në kërkim janë Ervin Mata, 31 vjeç, Fabio Allushi, 42 vjeç dhe komandoja Merviol Billo, 41 vjeç, banues në Tiranë.

Mata është i dashuri i këngëtares Elvana Gjata dhe konflikti dyshohet se ka lindur pikërisht pas një ngacmimi ndaj këngëtares, por nuk përjashtohet as pista e pazareve të drogës.

Ndërkohë Ervis Martinaj, njihet si biznesmen që vepronte në fushën e basteve sportive. /a.y/noa.al