Transmetuar më 23-10-2018, 10:47
Arben Ahmetaj, foto ilustruese

Ministri i Financave Arben Ahmetaj, thotë se nuk ka kthim mbas për lojërat e fatit.

Ditën e sotme gjatë mbledhjes së Komisionit parlamentar të Ekonomisë, ku po diskutohet ligji për “Lojërat e fatit”, Ahmetaj tha se 31 dhjetori është afati i fundit.

“Pas datës 31 dhjetor asnjë subjekt nuk mund të vendos kazino apo lojëra fati. Jam i bindur se kemi qytetarët me vete. Më duhet të them se industria do të krijojë një diferencë në të ardhurat, por për ne nuk ka pikë rëndësie”, u shpreh Ahmetaj.

Ai shtoi se qëndrimi i qeverisë është i konsoliduar sa i takon lojërat e fatit.

Sakaq deputetja demokrate Jorida Tabaku, në një qëndrim të saj tha se ata që sot flasin kundër basteve sportive dhe kazinove janë kumarxhinjtë e politikës që fatin e tyre e kanë vendosur në rulotën politike duke renditur:

– Ata sollën në vitin 2015 një ligj klientelist që e ndryshuan në seancën parlamentare për të përmbushur qokat e tyre elektorale.

– Janë ata që përmes një aksioni fasadë “Fundi Marrëzisë” prodhuan marrëzinë e basteve pafund.

– Janë të njëjtë me mazhorancës që nuk solli asnjë akt nënligjor për ligjin që miratoi.

– Janë të njëjtë me mazhorancën dhe kryeministrin që votuan shtyrjen e hyrjes në fuqi të Ligjit të Lojërave të Fatit që vetë votuan.

– Nën këtë kryeministër u dhjetëfishuan pikat e basteve në kundërshtim me çdo normë ligjore.

– Nën këtë mazhorancë u dha me koncesion tek kompania e lidhur me vëllanë e kryeministrit Sistemi i Monitorimit Online të cilin po e shfrytëzon për të vjelur paratë publike.

– Nën këtë mazhorancë për një muaj rresht shqiptarët u bombarduan me publicitetin edhe promocionin e lojërave të fatit edhe në TVSH që paguhet me taksat e shqiptarëve.

Prandaj kjo mazhorancë sipas saj, është e fundit që i takon të flasë me Bibël dhe Kuran për lojërat e fatit.

Ajo shtoi se nëse sot kryeministri ankohet për mesazhet që i vijnë nga burgjet atëherë ai dëshmon se është peng jo i vesit të basteve por i vesit të të qenurit pjesë e të inkriminuarve.

“Faktet thërrasin fort përfshirjen e mazhorancës në një tjetër grup të inkriminuar që sot për sot kërkon monopolin e kazinove dhe lojërave të fatit. Lejet e ndërtimit, ligji i ri me emerin “Bast Arena” dhe promovimi i kryeministrit janë shenjat e qarta të qelisë prej nga ku mazhoranca porosit ligjet”, deklaron Tabaku në qëndrimin e mbajtur paralelisht me mbledhjen e komisionit parlamentar, teksa opozita vijon bojkotin. /a.y/noa.al

Rama: Kazinotë vetëm në hotele dhe resorte me 5 yje, deputetët po sulmohen me mesazhe nga burgu