Transmetuar më 23-10-2018, 09:39

Është shtyrë sërish seanca e sotme gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij.

Ndërsa ditën e sotme pala mbrojtëse do të paraqiste konkluzionet, avokatët e të pandehurve kanë kërkuar më shumë kohë, duke deklaruar se nuk i kishin ende gati dosjet.

Avokatët, kërkuan edhe një javë kohë më shumë për të përgatitur mbrojtjen, duke bërë që seanca të shtyhet sërish për më 30 tetor.

Ndërkohë edhe dy javë më parë, avokatët e palës mbrojtëse bën të njëjtën kërkesë, duke kërkuar më shumë kohë.

Sakaq më 2 tetor Prokuroria e Krimeve të Rënda dha pretencën për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij. Organi i akuzës kërkoi 17 vite burg për Emiljano Shullazin, duke e deklaruar fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij.

Ndërkohë 15 vite burg janë kërkuar edhe për krahun e tij të djathtë, shokun e tij Gilmando Dani.

Nga 11 vite burg, është kërkuar për Endrit Zelën dhe Endrit Qyqjan dhe 10 vite burg, për Blerim Shullazin.

Pretenca ndaj Shullazit dhe grupit të tij, u dha në seancën e dhjetë, pas nëntë shtyrjeve.

Grupi i Emiljano Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës ndaj rektorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule.

Gjithashtu ata akuzohen edhe për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kundër Ylvi Beqjes për ish-hotel “Vollgën” në Durrës. /a.y/noa.al