Transmetuar më 22-10-2018, 14:46
Edi Rama, Vangjush Dako

Kryeministri Edi Rama i përgjigjet kreut të opozitës Lulzim Basha, i cili tha se arrestimet e fundit janë bërë vetëm për të shpëtuar “peshkun e madh”, që sipas tij është kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.

Rama i cilëson si vulgare sulmet ndaj Prokurorisë, ndërsa shton se lufta me krimin do përshkallëzohet deri në fund.

“Shpif, shpif se lirohesh, i thonë një llafi, po s’ka më peshk se rob jo e jo, që s’ka marrë vesh se sulmet vulgare ndaj prokurorisë vijnë nga dhimbjet e forta të kokës për çështjet e hapura me drejtësinë! Lufta me krimin e me korrupsionin vetëm do të përshkallëzohet deri në fund”, thotë Rama në qëndrimin e tij.

Më herët në një dalje për mediat, duke komentuar arrestimet e fundit, kryeopozitari Lulzim Basha tha se, “Peshku i madh i kësaj çështje quhet Vangjush Dako. Të tjerët po serviren si peshq të vegjël për të shpëtuar Vangjushin”.

Sipas tij, kjo është një nga dosjet që ka marrë përsipër ta shkatërrojë drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, për të cilën tha se dikur ka punuar në Durrës.

Duke këmbëngulur se peshku i madh quhet Vangjush Dako, ai shtoi se peshqit e vegjël do të lirohen dhe se prokuroria është e kapur nga krimi.

Sipas tij, arrestimet e fundit u bën për t’iu servirur opinionit vendas dhe ndërkombëtar, ndërkohë që deklaroi se do të mbyllet hetimi për Vangjush Dakon dhe së paku katër deputetë të tjerë socialistë.

“Ajo që ndodhi mbrëmë, është mos arrestimi i Vangjush Dakos. Rama, Xhafaj, Prela po bëjnë gjithçka që hetimi për dakon të mbyllet”, deklaroi kreu i demokratëve. /a.y/noa.al

Basha: Peshku i madh është Vangjush Dako, arrestimet për të mbyllur dosjen e tij

Shkatërrohen katër grupe kriminale, 27 të arrestuar, tre policë të përfshirë/ Emrat