Transmetuar më 22-10-2018, 11:02

Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, kanë dalë me deklaratë të përbashkët, lidhur me shkatërrimin e grupeve kriminale në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.

Ishte kryepolici Ardi Veliu dhe kryeprokurorja e Krimeve të Rënda, Donika Prela, ata që ditën e sotme, dhanë detaje me operacionin, duke konfirmuar lëshimin e 44 urdhër arresteve.

Prela tha se Gjykata ka pranuar kërkesën për 44 shtetas, për ti lënë në masën arrest me burg dhe se janë provuar 13 episode të trafikimit dhe të shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke u goditur katër grupe kriminale nga një mega operacion i koduar “VOL-VO 4”, i shtirë në 12 qytete nga Hasi deri në Sarandë ku janë goditur anëtarë nga 4 grupe të skeduara kriminale, në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.

Forcat policore, RENEA, FNSH, ato operacionale në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë kanë ushtruar kontrolle në qytetet Shkodër, Has, Lezhë, Shijak, Elbasan, Durrës, Fier, Vlorë, Tiranë, Patos, Sarandë dhe Delvinë.

Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 27 shtetas dhe 6 u shpallën në kërkim. Gjithashtu u godit një laborator i përpunimit të heroinës në fshatin Brenog në Has, ku ndër të tjera janë sekuestruar 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës.

Procedimi për këtë operacion ka nisur pas një referimi të Policisë së Shtetit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Gjatë kësaj periudhe, veçanërisht me intensitet në muajt e fundit, për dokumentimin e kësaj dosjeje, janë përdorur metoda speciale të hetimit. Në këtë procedim penal janë me mijëra orë përgjime, filmime, përgjime ambientale, vëzhgime me dron, mijëra faqe me shkresa dhe këmbim informacioni e korrespodencë me agjenci ligjzbatuese brenda e jashtë vendit.

Goditja e kësaj veprimtarie kriminale është bërë në periudha të ndryshme, duke u finalizuar këtë fundjavë.

Në goditjen finale morën pjesë rreth 1.500 forca policore operacionale, FNSH, RENEA dhe nga efektivë nga Policia lokale.