Transmetuar më 21-10-2018, 20:35

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri ka reaguar për arrestimin e dy ish-deputetëve të Partisë Socialiste, Arben Ndoka, dhe Arben Çuko.

Për këtë të fundit, Strazimiri thotë se nuk duhet të ketë asnjë keqardhje pasi “e ktheu burgun në dispeçerinë e trafiqeve duke u marrë pare trafikantëve të burgosur për t’u futur celularët që të vazhdonin trafiqet nga burgu”.

Në replikë me Edi Ramën, deputeti demokrat shkruan se Kryeministri e dinte që Çuko është kapur, dhe e shkarkoi për ta arrestuar dhe ta cilësojë si “jashtë familjes sonë të madhe”.

“E vërteta është që pasi ka marrë vesh se ia kanë kapur, e shkarkoi që të arrestohet nga "jashtë familjes sonë te madhe" … njësoj si Saimir Tahiri vetëm se ky është i sakrifikueshëm”, shkruan Strazimiri në Facebook.

Ai e mbyll postimin duke shkruar “të shohim ç’do të thotë për koordinatorin e PS Lezhë, Arben Ndokën, që mesa duket i ka ndodhur një "lapsus adoleshencial" tjetër…

Në të tilla raste del Prof. Dr. Blerina Gjylameti se Xhaçka është e zënë”. /k.k/noa.al/